Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila mban edhe postin e Kryetares së Komisionit të Turizmit, Kulturës dhe Diasporës, ka ngritur shqetësime lidhur me draftit të ri të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të hartuar nga Akademia e Shkencave.
Zhupa e ka cilësuar draftin problematik dhe jashtë standarteve shkencore. Deputetja thekson se fjalori duhet të reflektojë seriozitet dhe të jetë në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë.
Demokratja ka renditur shembuj, të cilat i cilëson si jo profesionale: futjen e fjalëve të huaja si “abandonim” dhe “onlajn” pa nevojë reale gjuhësore, si dhe përkufizime thellësisht diskriminuese për fjalët “djalë” dhe “vajzë”, ku vajza paraqitet me nota negative dhe paragjykuese.
Sipas Zhupës, mënyra si përshkruhet fjala "vajzë" normalizon një mentalitet maskilist. Në këtë kuadër, deputetja ka paralajmëruar se do të kërkojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Kulturës, ku Akademia e Shkencave të japë shpjegime mbi procesin e hartimit të fjalorit.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Fjalori i ri i gjuhës shqipe përgatitur nga Akademia e Shkencave paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi! Atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj.
Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë. Fjalori i ri i hedhur në konsultim publik ka gafa dhe qëndrime të cilat nuk mund të anashkalohen dhe janë tejet problematike.
Si Kryetare e Komisionit për Kulturën, do të kërkoj një seancë dëgjimore në komision, ku Akademia e Shkencave të japin shpjegime profesionale dhe të hapura për publikun dhe komunitetin shkencor mbi mënyrën e hartimit, grupet e punës, skedat gjuhësore, punën kërkimore, konsultimet e bëra.
Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe element thelbësor i identitetit kombetar. Kjo seancë dëgjimore nuk do trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale dhe një diskutim serioz.
Përgatitja e fjalorit nuk është vetëm punë gjuhësore, por edhe akt kulturor e kombëtar, që ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të një kombi. Disa nga shembujt publikë janë qartësisht shfaqje e një punë jo cilësore dhe problematike në shumë nivele. Si për shembull:
1. Futja e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip. Nuk mund të certifikohet si “shqip” një fjalë e huaj, në këtë rast nga italishtja, dhe t’i jepet si shpjegim fjala shqipe “braktis”.
2. Futja e fjalës “onlajn” nga anglishtja “online”.
Transliterimi mekanik i huazimeve, pa kriter shkencor dhe pa nevojë reale gjuhësore, nuk e pasuron shqipen, por e deformon atë.
3. Përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve “djalë” dhe “vajzë”.
Në fjalorin e ri, “djalë” përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë.
Ndërsa “vajzë” shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese.
Kjo frymë është jo vetëm e papranueshme shkencërisht, por edhe e rrezikshme shoqërisht, sepse normalizon një mentalitet maskilist dhe diskriminues përmes një dokumenti normativ të gjuhës.
4. Terminologjia politike, rasti i fjalës “parti”.
Shpjegimi i dhënë në fjalorin online është në kontrast të plotë me Kushtetutën, ligjin për partitë politike dhe konceptet moderne demokratike.
Përkufizimi i “partisë” si “organizatë e një klase a shtrese shoqërore që lufton për interesat e saj” i përket një paradigme ideologjike të tejkaluar, jo realitetit pluralist dhe kushtetues të Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.
Fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet “shqip e saktë”.




Qenka bete edhe shkencetare e gjuhesise zonja Zhupa! Bravo. Ka perparime te gjithanshme ne partine e gjithologeve.