TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Janar 2026, 07:55

Mbledhja e Grupit të PS-së si shtrëngim rradhësh/ Rama i kronometron kohën çdo deputeti, ç’pritet nga takimi 5 orësh

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e Grupit të PS-së si shtrëngim rradhësh/ Rama i
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje të Grupit Parlamentar socialist, e cila pritet të zgjasë 5 orë, ndërsa në qendër të saj pritet të jenë raportimet nga drejtuesit e Komisioneve Parlamentare, si dhe disa nga reformat kryesore që janë në agjendën e Parlamentit.

Mbledhja do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa mbyllja parashikohet rreth orës 15:00.

Referuar agjendës së bërë publike nga Partia Socialiste, fjalimi kryesor do të mbahet nga Kryeministri, për të vijuar më pas me Kreun e Kuvendit dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar. Ndërkohë drejtuesit e Komisioneve Parlamentare, ose zv.kryetarët e këtyre komisioneve, në rastet kur ato drejtohen nga opozita, do të paraqesin raporte që nuk do të zgjasin më shumë se 10 minuta.

Ajo që tërheq vëmendjen është fakti se Rama duket se i ka kronometruar kohën çdo folësi, duke mos i dhënë mundësi të flasë përtej një 2 minutëshi.

Mbledhja e Grupit Parlamentar i paraprin nisjes së sesionit të ri në Kuvendin e Shqipërisë, që zyrtarisht fillon punimet më 19 janar. Përcaktimi i një agjende për 12 muaj të veprimtarisë së Kuvendit pritet të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa dy nga reformat kryesore, ajo zgjedhore dhe reformës territoriale, kërkojnë edhe bashkëpunimin me opozitën. Por referuar deklaratave të mëparshme të Kryeministrit, socialistët nuk do të presin pafund demokratët, çka do të thotë se ai mund të caktojë ‘vija të kuqe’ lidhur me kohën kur do të miratohen këto reforma.

Gjithashtu kjo mbledhje mund të interpretohet edhe si një shtrëngim rradhës mes socialistëve, duke patur parasysh faktin se Qeverisë i kanë shpërthyer një seri skandalesh, në krye të të cilave qëndron Kryeministri. Pavarësisht se në jo pak raste ai është justifikuar me ‘dardhat’ që të tjerë kanë ngrënë pas shpinës së tij, skandalet e fundit që po hetohen nga SPAK, e rrëzojnë këtë justifikim.

Mbledhja e sotme zhvillohet një ditë para se Kryeministri të mbledhë në një takim kryetarët e bashkive, një takim ku vëmendja pritet të jetë në lirimin e hapësirave publike, por edhe pastrimin e territorit. Rama nuk ka kursyer kritikat për të dy këto çështje, madje edhe për përmbytjen e fundit, përgjegjësinë kryesore ia hodhi pikërisht mbeturinave që hidhen pa kriter në shtratin e përrenjve apo lumenjve.

edi rama grupi i ps agjenda

Lini një Përgjigje