Mazhoranca flet për agresion ndaj administratës, ndërsa debati real mbetet hetimi i korrupsionit dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme...
Edi Rama dhe mazhoranca e tij po ndërtojnë një narrativë politike sipas së cilës Prokuroria e Posaçme po pengon qeverisjen. Në thelb, përplasja lidhet me rolin e SPAK në hetimin e korrupsionit dhe standardin e goditjes së pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Kritika thekson se institucioni duhet të fokusohet te provat, te sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë, jo te balancat politike të momentit. Legjitimiteti publik i SPAK matet me rezultatet konkrete kundër korrupsionit.
Edi Rama me mazhorancën e tij sot ka ndërmarrë një ofensivë politike dhe propagandistike, duke u vënë në rolin e viktimës.
Me një fjalë, ata po duan të zhvillojnë vendin, por prokurorët politikë të Prokurorisë Speciale po agresojnë administratën shtetërore; ndaj mazhoranca ka vendosur të ndërmarrë akte ligjore që ta rregullojë këtë situatë.
Përveç anës juridike dhe ligjore, në thelb ky është aksion politik, ku Edi Rama po merr përsipër që, ndërsa e inspiroi Prokurorinë Speciale, tani mund t’i shpallë plangprishës prokurorët e SPAK, pasi sipas tij ata po prishin shtëpinë e përbashkët.
Në fakt, asgjë nuk do të kishte ndodhur nëse SPAK nuk do të kishte ndjekur agjenda politike, por veprat e korrupsionit. Asgjë nuk do të kishte ndodhur nëse SPAK nuk do të ishte marrë me denoncimet dhe interesat politike, por me njerëzit e pushtetshëm që i kanë pirë gjakun këtij populli.
Asgjë nuk do të kishte ndodhur nëse SPAK do të sekuestronte, një për një, të gjithë pasurinë e politikanëve të lartë, të përfituar në mënyrë të paligjshme.
Kjo nuk është e vështirë; mjafton të shohësh pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të njerëzve të pushtetshëm dhe të kërkosh burimin e të ardhurave, e deri në një vendim të formës së prerë këto pasuri të sekuestrohen, pra të vihen në konservim.
SPAK realisht nuk e ka bërë këtë, por ka ndjekur një agjendë politike dhe diplomatike, e cila mund të ketë sens, por në thelb duhet të mbështetet në fakte dhe në kontekst.
Krimet e para që duhet të ndjekë SPAK janë vrasjet, ato politike dhe për efekt korrupsioni; më pas vjedhja, grabitja e pasurive shtetërore, përvetësimi i aseteve publike dhe kalimi i tyre në pronësi private; më pas rastet e shpërdorimit të detyrës.
Edi Rama është sot një përfitues i diletantizmit të SPAK, siç janë edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta. Kur, në fakt, kjo treshe duhet të ishte në një stad me të pandehurit e Nurembergut.
Nëse SPAK nuk siguron prova për korrupsionin, por godet politikanët sipas interesit politik të çastit, mund të fitojë simpati në njërën anë, por humbet legjitimitetin publik për misionin që i është dhënë.
Shqiptarët nuk kanë kërkuar ndërtimin e kështjellave si Bastija, burgjeve si Burreli e Spaçi, apo kampeve të internimit si Tepelena apo Kosova e Lushnjës. Ata duan që pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme nga politikanët të kthehet në arkën publike. Deri tani SPAK nuk e ka bërë këtë. Lojërat me rastet Berisha, Meta, Veliaj, Balluku etj., janë lëvizje politike. SPAK nuk ka për detyrë të merret me to; ai ka për detyrë të provojë korrupsionin dhe tu kthejë shqiptarëve paranë e vjedhur./Pamfleti
Një analizë perfekte! Por SPAK vepron si seksion i politikës.Nga rojtar i interesit shtetëror, ai zgjedh rolin e amortizatorit të konfliktit të lindur, midis interesit shtetëror dhe interesit politik.E njëson shtetin me pushtetarin e radhës. Për ta, Shteti është Edi Rama dhe Edi Rama është Shteti. Sali Berisha ishte Shteti dhe Shteti ishte Sali Berisha e kështu me radhë. SPAK ka ngel pa objekt, ose që të jemi të saktë SPAK ka heqë dorë me dëshirë ,apo i trysnuar nga kasta, apo nga kastat ndërkombëtare, apo për shkaqe konflikti interesi. Po të bëjnë një hetim të thelluar të kallzimeve penale, SPAK-ut do ti dali OBJEKTI si grup i strukturuar kriminal ose si organizatë e strukturuar kriminale. Lidhjet shkak-pasojë janë kategori filozofike për SPAK dhe jo baza e hetimit penal. I ndajnë çështjet në fraksione i degdisin nëpër gjykata. Nuk i bëjnë fare hyrje Kallzimet Penale si material kallzues, për çështje të pa dëshirushme për klientelën, falë rolit të një seksioni të veçantë të administratës së SPAK.
SPAK nuk ka për detyrë të merret me to; ai ka për detyrë të provojë korrupsionin dhe tu kthejë shqiptarëve paranë e vjedhur
Prokurorë e gjygjtarë jo vetëm ish të korruptuar por dhe të paftë .