Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Prishtinë, ka bërë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me gjyqin në Hagë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se pretenca e Prokurorisë nuk qëndron dhe paralajmëroi se një dënim i mundshëm i katër liderëve do të kishte pasoja më të gjera politike dhe historike.
Sipas tij, nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dënoheshin me 45 vite burg për veprimet gjatë luftës në Kosovë, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe te drejtuesit e vendeve perëndimore që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s kundër ushtrisë serbe.
“Ka diçka tjetër që është edhe më e rëndë për perëndimin sepse nëse Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi do të varrosen për së gjalli për luftën dhe çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, duhet të vazhdojnë arrestimet, Clinton, Solana, Blair, kryeministrat e tjerë të vendeve që u dhanë dritën jeshile bombardimeve dhe duhet të ndodhë ekzaktësisht ajo që ka predikuar Milosheviçi që bashkë me atë zviceranin mos gjettë kurrë prehje atje ku është, të dy bashkë atje dhe kjo është e paimagjinueshme dhe unë flas e flas, më duket se çdo fjalë që them është pa kuptim, pa peshë, pa lidhje sepse ajo që po ndodh është shumë e rëndë dhe duhet të flasim, të shkruajmë libra, të tregojmë, por mbi të gjitha, të gjejmë mënyrën të veprojmë. Nuk e kam përgjigjen sesi, por besoj që bashkarisht të dyja shtetet tona mund ta gjejnë një përgjigje që në fund fare të mos i themi vetes si nuk provuam edhe këtë, por t’i provojmë që të gjitha brenda normave që jemi nënshtruar me liri të plotë si pjesë e bashkisë demokratike, euroatlantike etj”, tha Rama.
Lini një Përgjigje