TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Shkurt 2026, 13:28

Kërkesa e Hagës, Rama apel nga Kosova: UÇK s’ka lidhje me terrorin, u armatosën kundër shfarosjes

Shkruar nga Pamfleti
Kërkesa e Hagës, Rama apel nga Kosova: UÇK s’ka lidhje me
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme  ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala në Prishtinë.

Libri i kushtohet gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-krerëve të UÇK-së, dhe padrejtësive që thotë se ata janë përballur gjatë procesit 5-vjeçar.

Rama në fjalën e tij u shpreh se UÇK nuk ka lidhje me terrorin, duke shtuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u armatosën kundër një politike shfarosje.

"Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosje, por u armatosën kundër një politike shfarosje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por u armatosën për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre. Dhe faktikisht, ata vetëm me dorën e tyre e votuan në Kuvend një gjykatë, e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën. Fjalën e fundit e ka gjykata, një plan shumë afatgjatë i cili ka nisur me raportin famëkeq të Dick Martin, për trafikim të organeve nga udhëheqja e UÇK-së. Ai plan është shtyrë para nga përfaqësuesit e putin në këshillin e Europës, dhe më tutje është ngritur mbi një rezolutë të KiE, qe nuk gjen kurajo ta rishikojë, pasi asnjë lloj trafiku organesh nuk është provuar në asnjë formë. Ai plan ka nisur edhe më tej me një gjykatë, me një provës që ka marë jetë ditën kur Thaçi ishte nisur për Uashington, është kthyer nga rruga e një takimi ku do hidhej hap tjetër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën kujdesin e presidentit të kohës, dhe të sotëm, Trump, pasi qartësisht forca të tjera nuk e dëshironin që të ndodhte ajo gjë dhe që nga ia moment presidenti i Kosovës është marrë peng", tha Rama.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është në etapën e fundit, drejt vendimit që do të japë trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit të Hagës që nga muaji nëntor i vitit 2020.

Kryeprokurorja Kimberly West tha se ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme; si dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje dhe kërkoi për ta 45 vite burg secili.

Gjatë javës që u mbyll, trupa gjykuese u njoh me deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së.

Aktakuza u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Prokurorët pretenduan se të akuzuarit ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në fjalën hapëse, prokurori Alex Whiting tha se shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës.

Mbrojtja kundërshtoi duke theksuar se UÇK-ja nuk kishte komandë të centralizuar. Thaçi u deklarua i pafajshëm, duke mohuar akuzën për trafikim organesh, të ngritur më herët nga raporti i Dick Marty në Këshillin e Evropës (2011).

Nga prilli 2023 deri në dhjetor 2025, palët paraqitën prova dhe dëshmitarë. Prokuroria solli 125 dëshmitarë, ndërsa 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë me shkrim.

Dëshmitarë të mbrojtjes ishin James Rubin, Christopher Hill dhe Wesley Clark, të cilët argumentuan se Thaçi kishte rol politik, UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional dhe se ajo nuk ishte organizatë terroriste.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë marrë mbështetje nga kryeministri Edi Rama, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe bashkëluftëtarët e tyre, të cilët organizuan protesta në Hagë, Tiranë, Shkup dhe Prishtinë.

Deklaratat përmbyllëse pritet të zgjasin deri më 18 shkurt. Pas tyre, çështja kalon te trupi gjykues, i cili ka tre muaj kohë për vendimin.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë. Gjykata Speciale hetoi krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

rama uçk rama- thaçi

Lini një Përgjigje