TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Janar 2026, 13:36

“Shtyrjen e propozoi Balla e Çomo”/ Anulimi i mbledhjes së Këshillit të Mandateve, zbardhen debatet te Konferenca e Kryetarëve

Shkruar nga Pamfleti
“Shtyrjen e propozoi Balla e Çomo”/ Anulimi i mbledhjes
Konferenca e Kryetarëve

Zbardhen debatet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku opozita ka kërkuar sqarime sepse një ditë më parë u shty mbledhja e Këshillit Mandateve dhe Imuniteteve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK-ut lidhur me autorizimin për arrestimin e zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Mbledhja e njoftuar për tu zhvilluar mesditën e 28 janarit u shty nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, rreth dy orë para orës së njoftuar.

Në Konferencën e Kryetarëve, deputetë të opozitës, kërkuan sqarime nga Peleshi lidhur me shkakun e shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve

“Shtyrja e mbledhjes së Këshillit është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve vlen. Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhje”, mësohet të jetë shprehur Peleshi në sqarimin e tij për deputetë të opozitës.

Më herët, deputetja Jorida Tabaku, akuzoi mazhorancën se po i vendoste Kuvendit një njollë turpi.

“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin”, mësohet të jetë shprehur Tabaku në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Ndërkohë, Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, ka akuzuar Kryeparlamentarin Peleshi për shkeljen e Rregullores së Kuvendit.

“Jeni në shkelje flagrante të Rregullores. Ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur. Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, tha Bardhi.

Megjithëse nuk ka një datë se kur do të mbahet mbledhja e rradhës, ajo do të jetë pasi Gjykata Kushtetuese të japë një vendim lidhur me ankesën e Kryeministrit Edi Rama, i cili iu drejtua gjykatës lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Ky vendim që pritet nga Kushtetuesja ka lidhje me një vendim të GJKKO-së, e cila bazuar në kërkesën e SPAK-ut, vendosi të pezullojë nga detyrat qeveritare Belinda Ballukun, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria Speciale. Kushtetuesja fillimisht vendosi që të pezullojë zbatimin e vendimit të GJKKO-së, për ta kaluar më pas çështjen në gjykim themeli, ndërsa SPAK iu drejtua Kuvendit për të marrë autorizimin për vendosjen e një mase sigurie tjetër ndaj zv.Kryeministres.

Kushtetuesja nuk arriti të merrte një vendim në mbledhjen e fundit, pasi disa nga anëtarët kërkuan më shumë kohë për të analizuar çështjen në fjalë.

 

konferenca e kryetareve spak balluku

Lini një Përgjigje