TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Janar 2026, 11:10

Reforma Territoriale, Rama zhbën formulën “bi-partizane”; drejt ripërsëritjes skema e 2014-ës

Shkruar nga Pamfleti
Reforma Territoriale, Rama zhbën formulën “bi-partizane”;
Komisioni për Reformën Territoriale

Territorialia, e përcaktuar si një nga dy reformat e mëdha që Kuvendi ka përcaktuar për të përmbyllur brenda 2026-ës, duket se do të çohet përpara vetëm nga socialistët e Edi Ramës.

Përmes një shkrese zyrtare që i drejtohet Niko Peleshit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Arbjan Mazniku me cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, kërkon ndryshimin e formulës në funksionimin e komisionit, dhe për rrjedhojë edhe ecurinë e reformës. Më konkretisht, Mazniku propozon që ai të marrë emërimin e Kryetarit, socialistët të kenë shumicën në Komision, ndërsa opozita të ketë pozicionin e nënkryetarit, duke ‘shembur’ formulën e drejtimit me dy bashkëkryetarë dhe duke zhbërë frymën bi-partizane.

Shkak për kërkesën që mund të çojë në ndryshimin e formulës, sipas socialistëve, është bojkoti që opozita i ka bërë punës së këtij komisioni.

Që prej krijimit të Komisionit në datën 27.10.2025 (gjatë një periudhe dy mujore) nga 4 mbledhje të njoftuara rregullisht vetëm një mbledhje është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës. Referuar vendimit të Kuvendit, kohëzgjatja e punës së Komisionit është parashikuar 9 muaj.

Kjo kohëzgjatje është dakordësuar duke patur parasysh rëndësinë e miratimit të reformës administrative-territoriale në kohë, pra 1 vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore 2027 në mënyrë që të merren masat përkatëse ligjore, administrative dhe organizative.

Nisur nga qasja e bojkotuese e opozitës parlamentare si dhe fakti që reforma administrative territoriale përbën një nga prioritetet kyçe të programit të mazhorancës parlamentare Shqipëria 2030 dhe për integrimin në BE, propozohet ndryshimi i përbërjes dhe mënyrës së punës së Komisionit”, thuhet në kërkesën e PS.

Reforma Territoriale, Rama zhbën formulën “bi-partizane”;

Duket se Kuvendi po ripërsërit skemën e 2014-ës, kohë kur opozita bojkotoi këtë reformë, e cila u miratua me votat e socialistëve dhe LSI, aleatja e dikurshme e PS-së. Sot socialistët zotërojnë të vetëm 83 mandate, pa përfshirë këtu 3 deputetët e PSD-së, çka do të thotë se kanë mundësi që edhe në sallën e Kuvendit të kalojnë çdo ndryshim pa pasur nevojën e votave të opozitës.

Disa herë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka mbështetur deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka paralajmëruar se mazhoranca nuk do të presë pafund opozitën që të paraqitet në Komisione. Në anën tjetër, opozita e drejtuar nga Sali Berisha duket se do të vendosë një raport të kushtëzuar, ose po përsërit të njëjtën skemë si 12 vite më parë, duke i lënë të lirë fushën Edi Ramës për të realizuar për herë të dytë një reformë territoriale, sikundër ai vetë do e mendojë. Në 2014, opozita e drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha, pasi mori pjesë në disa mbledhje, bojkotoi Komisionin, ndërsa synonte se mund të bllokonte vijimin e reformës. Por formula e zgjedhur nga PD në atë kohë nuk funksionoi. Gjithsesi, ndarja e re territoriale, u përdor si alibi për humbjen që PD e Bashës pësoi në zgjedhjet e 2015-ës. 

territoriale reforma pd ps

Lini një Përgjigje