
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka komentuar shkarkimin e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm.
Ai tha se shkarkimi lidhet me ngjarjen e rëndë në Fushë-Krujë, ku të afërmit e deputetit Rrahman Rraja rrahën barbarisht dy pjesëtarë të fisit Maja.
Dogjani u shpreh gjithashtu se Rama e ndërmori vendimin e shkarkimit për të larguar përgjegjësinë nga vetja si dhe për të larguar vëmendjen publike nga ngjarja e rëndë.
“Largimin e ministrit unë e shikoj të lidhur me Edi Ramën, sa herë që Ramës i rrezikohet pushteti, për të shmangur përgjegjësinë e opinionit publik ai largon bashkëpunëtorët e tij. Kjo tregon se nuk i mban bashkëpunëtorët.
E dyta ai e bën që opinion dhe media të mos merren me këtë ngjarje të rëndë por që të merren me largimin e ministrit të Brendshëm, edhe emërimin e ministrit të ri. Unë e vlerësoj një ngjarje të tmerrshme, pasi përcjell një panik dhe çon mesazhin se këtu fitohet vetëm me banda dhe rrezikohet çdo qytetar i Shqipërisë.
Dogjani shtoi se në Shqipëri vendosin bandat dhe mafia të cilat kontrollojnë territorin, ndaj të gjithë qytetarët duhet të ndihen të kërcënuar.
“Kjo tregon që qytetarët shqiptarë janë të gjithë të kërcënuar dhe nuk është problem i vetëm kësaj familjeje, por i gjithë shqiptarëve. Mafia kjo është, mafia kontrollon territorin, aty keni pikërisht një grup të caktuar që kontrollon territorin”, tha Dogjani për “Euronews Albania”.
Lini një Përgjigje