Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Bledi Çuçin dhe ka propozuar për ministër të Brendshëm Taulant Ballën…
Dhuna në Krujë i ka “prerë” kokën Bledi Çuçit. Ashtu siç ndodhi me Sandër Lleshajn që dha dorëheqjen pas vrasjes së Klodian Rashës, një tjetër ministër i Brendshëm ikën pas skandaleve në polici. Rasti i Krujës tregoi hapur se forcat e rendit ishin të pafuqishme përballë fisit Rraja dhe duket se Rama ja ka faturuar përgjegjësinë ministrit të Brendshëm.
Vetë Rama ka njoftuar pak më parë se Çuçi nuk do të jetë më në këtë post, por aty do të emërohet Taulant Balla. Të hënën vendimet do të shkojnë në Presidencë për dekretim.
"Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falënderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese edhe në këtë drejtim", shkruan Rama.
Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur… pic.twitter.com/11NDahxGou
— Edi Rama (@ediramaal) July 8, 2023
Dy kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja u dhunuan të enjten barbarisht nga disa anëtarë të fisit Rraja për shkak se u ankuan se gurorja në pronësi të kushëririt të deputetit të PS, Rrahman Rraja po u dëmtonte banesat.
Policia e fshehu fillimisht ngjarjen, duke e deklaruar si një sherr banal. Por skandali u thellua më tej, kur në njoftimin e shpërndarë për mediat, u fsheh emri i djalit të deputetit. Ai ishte organizator i dhunës, por policia as e arrestoi dhe as e shpalli në kërkim. Vetëm në mbrëmje policia u detyrua të bënte një reagim tjetër duke thënë se ka shpallur në kërkim Rexhep Rrajën. Po ashtu dy vëllezërit e deputetit u shoqëruan dhe u lanë të lirë. Më pas u shpallën edhe ata në kërkim. Pra, skandale njëra pas tjetrës.
Siç duket, kjo situatë solli dy largime sot brenda mazhorancës. Rrahman Rraja dha dorëheqjen nga posti i deputetit, ndërsa Çuçi dorëzoi Ministrinë e Brendshme.
Surprizë ishte padyshim emri i Taulant Ballës, një personazh i cili është akuzuar shpesh nga opozita se ka pasur kontakte me persona me rekorde kriminale. Me shumë mundësi emri i tij do shkaktojë debate. /Pamfleti
Lini një Përgjigje