TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Shtator 2023, 13:05

Shënim: Në Shqipëri më kollaj bëhesh President se ble 1 biletë stadiumi

Shkruar nga Pamfleti
Shënim: Në Shqipëri më kollaj bëhesh President se ble 1
Ndeshjet e Kombëtares shqiptare/

Bajram Begaj u bë President për 1 minutë nga Edi Rama, por nëse do kishte qenë qytetar i thjeshtë, me marifetin që përdorin ‘mjeshtrit’  e FSHF, nuk do të siguronte dot një biletë stadiumi.

Zhdukja e biletave për takimin Shqipëri- Çeki po quhet skandal, por në fakt është krim financiar i drejtuesve të FSHF, duke i kanalizuar biletat si biznes të tyre privat në tregun e zi, me çmime të shumëfishuara që u janë vjedhur qytetarëve.

Nuk pati shitje online, ngaqë serveri i faqes “@bileta.al” u hap 1 minutë dhe u bllokua; për rrjedhojë, nuk mund të blije dot bileta, ndërkohë që në faqe on-line të agjencive të shitjeve të pallateve, marketeve, qendrave estetike e individësh, u shitën me çmime 5-10 herë më të larta.

Kështu ndodh, në një vend si Shqipëria, ku Federata e Futbollit është uzurpuar përjetësisht nga të njëjtët persona, të cilët përveç trukimeve, monopolit të transmetimit të ndeshjeve; edhe me biletat e ndeshjes Shqipëri- Çeki, treguan se janë një bandë.

Pamundësia për të blerë biletë me çmim real e në rrjetin on-line, siç e ka detyrim FSHF-ja të garantojë akses tregu të lirë, krijon përshtypjen se në Shqipërinë e degraduar nga krerët e politikës dhe xhambazët e tyre në krye të institucioneve, më kollaj është të bëhesh President Republike, se sa të marrësh një biletë stadiumi.

Në Shqipëri, më kollaj bëhesh ministër pa e ditur, duke të shpallur on-line kryeministri, por në faqen e FSHF,  nuk mund marrësh dot një biletë stadiumi, sepse ato hidhen në tregun e zi.

Në Shqipëri, më kollaj është të bëhesh Kryetar Kuvendi, deputet, ambasador, zv/kryeministër, Shef i SHISH, drejtor policie, krye prokuror, kryetar i SPAK, KLP, ILD-së, KLGJ-së, zv/ministër, kryetar bashkie e drejtor qendror., por nuk siguron dot 1 biletë stadiumi.

Në mbi 300 mijë kërkesa për të parë ndeshjen Shqipëri-Çeki e me afro 25 mijë vende që ka stadiumi “Air Albania”, është logjike që nuk do siguronin bileta të gjithë.

Por çështja është, se ato nuk u shitën fare on-line siç është detyrimi publik, por u hodhën në tregun e zi me çmime të shumëfishuara nga FSHF, për përfitime personale financiare e kriminale, duke zhvatur qytetarët.

Kujtojmë kacafytjen e Qeverisë me Presidentin e FSHF, Armand Duka në janar 2022, ku Erjon Veliaj i vërsulur nga Edi e Olsi Rama dhe Gaz Demi, gjatë takimit me disa drejtues ekipesh e zyrtarë të FSHF-së, tha: - Komitetin Olimpik e morëm me Fidelin, ndërsa FSHF është i vetmi “ishull” me shumë interes, që nuk e kemi marrë akoma e duhet ta marrim patjetër.

Përfitimet i treguan dhe biletat e ndeshjes Shqipëri-Çeku, ashtu monopoli i transmetimit të ndeshjeve në medie private e jo në RTSH, trukimi i ndeshjeve dhe rikthimi i basteve si monopol në duart e mafies qeveritare, me të cilat zhvaten miliarda./Pamfleti

më kollaj bëhesh president 1 biletë stadiumi

Lini një Përgjigje