Kryeministri Edi Rama inspektoi sot rrugën provizore në aksin Librazhd-Prrenjas, pasi segmenti i dëmtuar është stabilizuar përkohësisht.
Gjatë vizitës ai foli për shkaqet që çuan në rrëshqitjen e rrugës dhe për punën që po zhvillohet për rikthimin e plotë të qarkullimit.
Rama deklaroi se dëmtimi i aksit nuk lidhet me abuzime në ndërtim, por me gjendjen e vjetër të rrugës dhe me një proces natyror të rrëshqitjes së terrenit. Sipas tij, diskutimet publike për korrupsion nuk qëndrojnë.
“U përfol se gjoja rruga u shemb nga korrupsioni, por është shumë e qartë se segmenti ishte i vjetër dhe rrëshqitja lidhej me një fenomen tërësisht natyror. Jetojmë në një kohë kur, siç thotë fjala e popullit, gënjeshtra e bën xhiron e botës sa e vërteta ende nuk ka veshur pantallonat. Kjo është një eksperiencë e përditshme.
E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton, duhet vetëm durim dhe këmbëngulje. Mua më vjen keq që kjo gjë ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë, por në çdo rast ne sot jemi këtu për t’ju qartësuar edhe mbi afatet e reja që i kemi vënë vetes.
Jemi shumë të vetëdijshëm për dëmin, për pengesat dhe për të garantuar që puna vazhdon pa pushim që ta bëjmë sa më shpejt korrigjimin e këtij segment dhe mbylljen e kësaj plage. Do e bëjmë shpejt, por mirë. Nuk mund të bëhen brenda ditës, sa më shpejtë por mirë. Që kjo plagë të mbyllet përfundimisht”, u shpreh kryeministri Rama.
Ai shtoi se institucionet janë të ndërgjegjshme për vështirësitë që ka krijuar situata për banorët dhe për qarkullimin në këtë aks rrugor. Sipas tij, puna në terren do të vazhdojë pa ndërprerje për të rikthyer funksionimin normal të segmentit.
Lini një Përgjigje