Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kanë inspektuar këtë të shtunë rrugën provizore në aksin Librazhd–Prrenjas, e cila është stabilizuar përkohësisht dhe është hapur për qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë.
Sipas qeverisë, lëvizja e automjeteve tashmë kryhet përmes një devijimi provizor në gjurmën e Korridorit VIII, pas ndërhyrjeve emergjente për stabilizimin e zonës ku ndodhi rrëshqitja e tokës.
Inspektimi vjen pas disa ditësh kaosi në këtë aks kombëtar, një nga rrugët kryesore që lidh Tiranën me juglindjen e vendit, i cili u bllokua për shkak të shembjeve dhe rrëshqitjeve të dherave në zonën e njohur si Arra e Gurrës. Bllokimi solli vështirësi të mëdha për qarkullimin drejt Korçës dhe Pogradecit, ndërsa qytetarët dhe bizneset u përballën me vonesa dhe devijime të gjata rrugore.
Vizita e kryeministrit në kantier vjen vetëm pasi rruga u hap përkohësisht, si një tjetër “show politik” për të mbuluar situatën e krijuar nga bllokimi disa ditor i një prej arterieve kryesore të vendit.
Gjatë ditëve kur aksi ishte i pakalueshëm, Rama reagoi publikisht duke mohuar çdo përgjegjësi të qeverisë dhe duke e lidhur situatën vetëm me faktorë natyrorë. Ai deklaroi se rrëshqitja e tokës nuk kishte asnjë lidhje me punimet e Korridorit VIII apo me korrupsionin, por me gjeologjinë e vështirë të zonës dhe reshjet e dimrit.
Në reagimet e tij publike, kryeministri u shpreh se lidhja e kësaj ngjarjeje me korrupsionin është “zero”, ndërsa rrëshqitja sipas tij ka ndodhur në segmentin e vjetër të rrugës dhe jo në aksin e ri që po ndërtohet.
Bllokimi që izoloi juglindjen
Ngjarja shkaktoi debat të fortë publik pasi për disa ditë një pjesë e madhe e juglindjes së vendit mbeti praktikisht e izoluar nga kryeqyteti përmes këtij aksi.
Në kulmin e situatës, u raportua se kryeministri udhëtoi me helikopter drejt Korçës për një aktivitet zyrtar, ndërsa rruga që lidh Tiranën me këtë zonë ishte e bllokuar për qytetarët.
Kjo situatë rriti kritikat ndaj menaxhimit të infrastrukturës dhe ndaj mënyrës se si reagojnë institucionet në raste emergjente.
Autoritetet rrugore ndërhynë me masa emergjente për stabilizimin e zonës dhe hapjen e një rruge alternative në gjurmën e Korridorit VIII, që aktualisht po shërben si devijim për qarkullimin normal të automjeteve.
Megjithatë, ekspertë të infrastrukturës paralajmërojnë se zgjidhja aktuale është vetëm e përkohshme dhe kërkon ndërhyrje më të thella inxhinierike për stabilizimin përfundimtar të terrenit.
Lini një Përgjigje