
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale lidhur me fenomenin e emigrimit të shqiptarëve, duke e cilësuar largimin masiv të qytetarëve si pasojë të një sistemi ekonomik dhe institucional që, sipas saj, nuk shpërblen meritën dhe konkurrencën.
Sipas Tabakut, Shqipëria ndodhet sot përballë një udhëkryqi të ri historik. Ajo theksoi se në fillim të viteve ’90 vendi përballej me një udhëkryq për demokracinë dhe integrimin europian, ndërsa sot sfida është kryesisht ekonomike dhe po i shtyn qytetarët të largohen nga vendi.
Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, deputetja e opozitës deklaroi se vetëm gjatë vitit 2024 rreth 44 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë, gjatë viteve të pandemisë 2021–2022, sipas saj Shqipëria ka humbur rreth 180 mijë qytetarë për shkak të emigrimit.
Tabaku theksoi se fenomeni është veçanërisht alarmant pasi rreth 60% e atyre që largohen janë të rinj që nuk shohin mundësi reale për të ndërtuar jetën në vend.
“Janë të rinjtë që përballen me koston në rritje të jetesës, me çmime që rriten çdo ditë dhe me të ardhura gjithnjë e më të ulëta. Janë të rinjtë mbi të cilët bien taksat më të larta dhe që përballen me mungesë mundësish ekonomike”, u shpreh Tabaku.
Ajo argumentoi se problemi nuk lidhet vetëm me treguesit ekonomikë, por edhe me mënyrën se si funksionon sistemi në vend.
“Ka një ekonomi të kapur në pak duar dhe një mungesë gare që reflektohet në çdo sferë, nga ekonomia te administrata publike. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë largohen dhe pse bizneset mbyllen”, theksoi deputetja e PD.
Në fund të reagimit të saj, Tabaku theksoi se situata kërkon një ndryshim të thellë në modelin ekonomik dhe në mënyrën e funksionimit të shtetit.
“Këtë duhet të ndryshojmë: një sistem ekonomik që sot është peng i pak duarve dhe që po i detyron shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen nga vendi”, u shpreh Tabaku.
Sa do largohen akoma si pasoje 35 vjet demokraci si pasoje e vjedhjes , korrupsionit , kriminalitetit jemi ne kete gjendje ne vend numero pergjegjesit PD -PS