Forcat operacionale RENEA, FNSH-ja dhe punonjës të Policisë së Vlorës janë larguar nga zona e Ujit të Ftohtë, ku zhvilluan një aksion në orët e para të mëngjesit.
Gjatë operacionit janë kontrolluar disa ambiente në këtë zonë, pasi dyshohej se aty mund të strehoheshin persona me rrezikshmëri të lartë.
Po ashtu është zbuluar aktiviteti i një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa është arritur edhe zbardhja e një vrasjeje të ndodhur më parë.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë lëshuar urdhër-arrest edhe për Florjan Plakun, i cili ndodhet aktualisht në burg dhe masa i është komunikuar në qeli.
Plaku u arrestua në gusht të vitit të kaluar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur në zonën e Larushkës. Sipas burimeve hetimore, në telefonin e tij celular janë gjetur të dhëna shtesë që lidhen me porosi për vrasje dhe ngjarje të tjera kriminale.
Nga analiza e materialeve të sekuestruara dhe përgjimeve, hetuesit kanë arritur të identifikojnë edhe persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitet kriminal në qytetin e Vlorës.
Paraprakisht mësohet se është zbardhur edhe vrasja e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021.
Rreth orës 18:16 të asaj dite, që për ironi ishte po e shtunë, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit, 40 vjeçarit iu bë atentat nga një automjet në lëvizje.
Qarri mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, por si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë.
Pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohej se u përkiste autorëve të ngjarjes. Në automjet, u gjet edhe një kallashnikov.
Lini një Përgjigje