TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Korrik 2024, 09:52

SHBA dhe BE, furnizojnë SPAK-un me dosjet që po tronditin Edi Ramën

Shkruar nga Pamfleti

 

SHBA dhe BE, furnizojnë SPAK-un me dosjet që po tronditin Edi
Edi Rama /

Publikimi i dosjes së Ilir Beqjes nga Gjykata e Posaçme, nxjerr në dritë se SPAK ka ndjekur dhe zotëron materiale kompromentuese mbi gjithçka që ka kryer ish-ministri. I cili ka menduar se mund të bëjë ‘rrush e kumbulla’ paratë e Bashkimit Evropian. Duket, jemi në fillim të uraganit që pritet të përmbytë të gjithë llumin e korrupsionit qeveritar...

Edi Rama, në të gjithë odisenë disavjeçare të goditjeve të SPAK ndaj zyrtarëve të tij, ka mbajtur një distancë thuajse totale ndaj të gjithëve. Duke nisur me Saimir Tahirin e me radhë.

Që atëherë diskutimi apo akuzat që kanë ardhur, si nga opozita, por edhe njerëz të mazhorancës që ndjeheshin të lëshuar, ishte: po si ka mundësi që Rama është dorëjashtë.

Teoria e fajësisë individuale padyshim që është thelbi i parimit të së drejtës në një vend demokratik. Por si ka mundësi që Ilir Beqja, edhe pse është recidivist prej vitesh, e gjithmonë i goditur nga ligji, disa herë kryeministri e ka promovuar dhe graduar. Edhe pse i padëshiruar në Shkodër që në vitin 2009, Rama e shëtiti Beqjen në qarkun e Dibrës, Kukësit e në Tiranë, ku askund ‘2 metroshi’ tashmë i certifikuar si i dyshuar për hajdut, nuk e donte asnjë.

Edhe në parti Ilir Beqja ka qenë gjithmonë një nga njerëzit më të pa votuar, po si ka mundësi që Rama e ka mbajtur pas?

Sepse e ka njeri të besuar, njeri që më shumë për të ndihmuar njerëzit, kolegët e partisë apo punës, ka pasur parim t’i shërbejë shefit të tij, i cili ruan çdo herë një post të ngrohtë për 2 ‘metroshin’ homolog.

Megjithatë, ka një detaj që bie në sy më shumë në këtë dosje të re ndaj Ilir Beqjes, e cila duket se jemi në fillimet e një serie mjaft shpërthyese.

Beqja është në arrest për një aferë mbi keqpërdorimin e fondeve europiane, që kanë ardhur për të ndihmuar zhvillimin ekonomik e social të vendit.

E siç dihet ndërkombëtarët, një nga sektorët më të rëndësishëm të punës së tyre kanë pikërisht supervizimin dhe ndjekjen precize të përdorimit të fondeve.

Ne kemi parë disa herë ambasadorin e BE-së në takimet me kreun e SPAK, të cilat me shumë mundësi nuk kanë qenë protokollare, por pjesë e një marrëdhënie të rëndësishme dokumentare, pikërisht në përdorimin e fondeve.

Pa llogaritur këtu, marrëveshjen që kreu i SPAK, Altin Dumani ka firmosur me kryeprokuroren e BE kundër korrupsionit, rumunen, Laura Kovesi.

Është folur herët që partnerët kanë mbledhur prova të hollësishme mbi korrupsionin shqiptar. Dispozitivi i pak ditëve më parë, i gjykatës britanike mbi Sali Berishën, tregonte se ata jo vetëm dinë gjithçka, por edhe zotërojnë prova të hollësishme për gjithçka.

Para disa vitesh, një raport ndërkombëtar, fliste me detaje mbi tenderët e energjisë që OSSH-ja kishte operuar, ku kishte akuza që e ashtuquajtura ‘fee’ për tenderin kishte marrë përmasa apokaliptike: 25%.

Por ka edhe raporte të tjera siç është ai për fondet IPARD, që ka bllokuar vijimin e ndihmave evropiane për fermerët.

Duket që jemi në një valë të madhe dosjesh të këtij lloji, të cilat do të zbulojnë si janë ndarë këto fonde, e ku mund të shpërthejë realisht ‘qelbi i korrupsionit’. Që sipas gjasave do të shkojnë lart, ngaqë ata që kanë përfituar janë njerëz që mbrojnë Edi Ramën përditë si shpëtimtarin e Kombit. E këtë punë jo vetëm që nuk e kanë bërë falas, por me fonde të partnerëve kanë financuar të gjithë propagandën e neveritshme të veneracionit ndaj Edi Ramës.

Publikimi i dosjes së Ilir Beqjes nga Gjykata e Posaçme, nxjerr në dritë se SPAK ka ndjekur dhe zotëron materiale kompromentuese mbi gjithçka që ka kryer ish-ministri. I cili ka menduar se mund të bëjë ‘rrush e kumbulla’ paratë e Bashkimit Europian. Duket, jemi në fillim të uraganit që pritet të përmbytë të gjithë llumin e korrupsionit qeveritar./Pamfleti

shba be spak edi rama dosje

Lini një Përgjigje