
Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat, në nisje të samitit të Shkupit, atje ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar me Marta Kos, Komisioneren për Zgjerimin e BE-së.
Rama tha se plani i përbashkët do të realizohet plotësisht.
“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” tha Rama.
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE po diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.
Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos theksoi se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por "dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë".
“Po shohim përparim të rëndësishëm. Shqipëria ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar. Në Bosnje e Hercegovinë është miratuar agjenda e reformave dhe po presim që qeveria e re, z. Kurti, të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë”, tha ajo.
Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duar të vendeve të rajonit.
“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.
“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.
Lini një Përgjigje