TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Korrik 2025, 10:32

Rrena nuk të shpëton nga burgu

Shkruar nga Pamfleti
Rrena nuk të shpëton nga burgu
Ilir Meta /

I pandehuri Meta, në auto-intervistën nga qelia, mohon të ketë njohur prokurorin e çështjes, Sotir Kllapi. Por faktet tregojnë se si president ai vetë e ka dekretuar atë në SPAK dhe i ka dhënë dorën me lavde për “hetim pa tolerancë ndaj askujt”. Rrena nuk të shpëton nga burgu...

Meqë në qeli ka kohë të lirë, por edhe ambicie për të mbetur aktor dhe faktor në politikë, Ilir Meta ka rifilluar zanatin e gazetarit, duke dhënë auto-intervista nga burgu; vetë pyet, vetë përgjigjet, dhe si çdo i burgosur që mohon çdo gjë, edhe ai shpallet i pafajshëm.

Në auto-intervistën e parë nga qelia, Meta adresoi dëshminë e dhënë në SPAK nga ish-sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, lidhur me dosjen e lobimit në SHBA. Ai u përpoq të shfajësohej duke thënë:

“Për herë të parë, procesin e hetimit tim e mësova nga mediat. Prokurorin Sotir Kllapi nuk e njihja fare, madje për herë të parë emrin e tij e dëgjova nga Endriti në fund të gushtit 2022 në Jalë, kur unë sapo isha rikthyer në krye të Partisë së Lirisë.”

Por kjo deklaratë bie menjëherë poshtë. Një dokument zyrtar fakton se Ilir Meta ka gënjyer publikisht, jo vetëm që e njihte prokurorin, por e kishte dekretuar vetë si President i Republikës.

Më 21 maj 2020, Ilir Meta, si kryetar shteti, ka dekretuar Sotir Kllapin si prokuror të SPAK. Ai ka ndjekur procedurën solemne të betimit, duke i dhënë dorën personalisht dhe duke i uruar suksese në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhej:

“Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, vlerëson integritetin dhe profesionalizmin e prokurorit Sotir Kllapi, duke e dekretuar me besim të plotë në detyrën e re në SPAK. I kërkon të ushtrojë funksionin me efikasitet dhe paanshmëri, pa toleruar askënd, kushdo qoftë.”

Rrena nuk të shpëton nga burgu

Sot, kur ai vetë është subjekt i hetimit të drejtpërdrejtë nga prokurori që ka dekretuar me dorën e vet, kujtesa e Metës duket se ka pësuar një "amnezi funksionale" për shkak të pozicionit të ri si i pandehur.

A është e mundur që një President të mos e kujtojë kë ka dekretuar në një institucion kaq të rëndësishëm si SPAK? Aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga figurat që më pas do të firmoste pikërisht arrestimin e tij?

Jo vetëm që nuk është e besueshme, është një rrenë naive, e ndërtuar për të fituar mëshirë publike dhe për të ushqyer një narrativë viktimizimi që nuk pi më ujë.

Në të vërtetë, prokurori Sotir Kllapi, i dekretuar nga vetë Ilir Meta si një njeri me “guxim dhe integritet të lartë profesional”, ka zbatuar pikë për pikë urdhrin që vetë Meta i dha më 2020: të mos tolerojë askënd. Dhe këtë e ka bërë, duke hetuar dhe çuar para drejtësisë pikërisht Ilir Metën.

Kjo është ndoshta ironia më e madhe e drejtësisë shqiptare: kur krerët e dikurshëm bien viktimë të institucioneve që vetë kanë firmosur. Dhe në vend të pendesës, prodhojnë auto-intervista./Pamfleti

rrena nuk të shpëton nga burgu ilir meta

Lini një Përgjigje