
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një postimi në rrjet, ka bërë të ditur takimin me Kryeministrin Edi Rama, që e konsideron si vëllazëror dhe shton se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë pjesë e rrugës së pakthyeshme europiane.
Sipas Ahmetit, e ardhmja evropiane e rajonit është e përbashkët dhe nuk mund të ketë ndarje në këtë proces.
Kreu i BDI bën me dije se diskutuan edhe për kërcënimet ndaj marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike në vend, por edhe për rëndësinë e forcimit të raporteve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Takim vëllazëror në Shkup me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në kuadër të Konferencës për Bashkimin Europian. Në një kohë kur Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, e ritheksuam se edhe Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e kësaj rruge. E ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces.
Diskutuam për:
– Kërcënimet serioze ndaj Marrëveshjes së Ohrit;
– Marrëdhëniet ndëretnike në vend;
– Rëndësinë e forcimit të raporteve shtetërore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Ky ishte një takim i sinqertë, me thellësi politike dhe vëllazërore, në funksion të barazisë dhe perspektivës europiane”, ka shkruar Ahmeti.
Pjesë e takimit ishte edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani. Kryeministri Rama ndodhet në Shkup së bashku me liderët e tjerë të rajonit në kuadër të samitit të BE-së ku do të diskutohet për planin e rritjes.
Lini një Përgjigje