Një lëvizje qytetare e pagëzuar si“Revolucioni i Flamingove” po sfidon hapur planet e elitës amerikane për ndërtimin e resorteve luksoze në zonat e mbrojtura bregdetare. Kjo revoltë paqësore po shndërrohet në një provë të fortë zjarri për të ardhmen politike të kryeministrit Edi Rama. Aroganca e pushtetit dhe pakënaqësia e akumuluar sociale kanë nxjerrë në shesh plagët e thella të një vendi që lëngon nga emigracioni dhe varfëria...
Giorgia Meloni e di mirë: tronditjet më të mëdha janë ato që nuk i sheh duke ardhur. Për shembull, miku i saj i ngushtë Edi Rama, nuk e parashikoi dot atë që sot të gjithë e quajnë “Revolucioni i Flamingove”. Gjithçka nisi pothuajse rastësisht më 30 maj.
Banorët e Zvërnecit, një fshat me rreth 1300 banorë në veri të Vlorës, po protestonin së bashku me disa ambientalistë kundër rrethimit të shfaqur në 400 hektarë të një zone bregdetare të paprekur, kur rojet private filluan t’i dhunonin egërsisht, pa u shqetësuar fare se në ditët e sotme nuk duhet shumë mund për të shpërndarë një video në rrjetet sociale.
Pamjet e dhunës - dhe mbi të gjitha ajo e një protestuesi që zvarritej për dhjetëra metra - u përhapën me shpejtësi nga njëri celular tek tjetri, duke ndezur mbarë Shqipërinë. Prej plot një muaji, çdo mbrëmje, mijëra njerëz mblidhen në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, dhe marshojnë drejt ndërtesës së kryeministrisë, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe pankarta gjithnjë e më të mirëmendura, ku flamingot janë protagonistët absolutë.
E vërteta është se Zvërneci ndodhet brenda zonës së mbrojtur të deltës së Vjosës, që nga shumëkush konsiderohet si lumi i fundit i egër në Evropë - një oaz biodiversiteti ku strehohen fokat e Mesdheut, breshkat caretta-caretta, 200 specie shpendësh shtegtarë, midis tyre edhe flamingot rozë.
Pikërisht atje u shfaqën papritmas ekskavatorët e kompanisë “Zvernec South Adriatic Development” dhe nisën të rrafshonin tokën e të shkulnin pemët. Pasi siguroi dy leje ndërtimi dhe nënshkroi marrëveshje zhvillimi për mbi dy milionë e gjysmë metra katrorë, kjo kompani synon të ngrejë një resort super-luksoz.
Mirëpo, ajo është vetëm maja e një rrjeti shoqërish fantazmë, që po të ndjekësh zanafillën, të çojnë te “Affinity Partners” e Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it. Ndërkohë, Jared dhe Ivanka dyshohet se u janë bashkuar dy vëllezër miliarderë nga Katari, një sipërmarrës kontrovers izraelit, një tjetër sekser shqiptar po aq i përfolur, një nga familjet më të rëndësishme në Vendin e Shqiponjave, me interesa të larmishme që shtrihen nga pasuritë e paluajtshme deri te menaxhimi i Aeroportit të Tiranës, krahas figurave të tjera me histori pak a shumë të trazuara.
Nga ana tjetër, projekti i Kushner-it dhe i vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara nuk është aspak shaka. Ai parashikon një investim prej 1.4 miliardë dollarësh (sipas burimeve të tjera shifra mund të shkojë deri në 4 miliardë) dhe shtrihet edhe në ishullin e Sazanit, i cili ndodhet përballë vijës së gjatë bregdetare të Zvërnecit.
Madje, pikërisht aty pritet të ngrihet struktura më ekskluzive. Këtë gjë e kishte zbuluar vetë Ivanka që dy vjet më parë, kur shprehej se po punonte me bashkëshortin e saj për këtë ishull të mrekullueshëm, duke angazhuar arkitektët më të mirë e markat më të njohura për të bërë diçka fantastike.
Por pikërisht këtu lindin pyetjet e para që mbeten pa përgjigje: si ka mundësi që një zonë e mbrojtur dhe një ishull, dikur bazë ushtarake, që të dyja në pronësi të shtetit, kaluan në duar private pa asnjë rezistencë e pa thënë askush asgjë?
Në dhjetor 2024, pak javë pas rizgjedhjes së Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, qeveria e Edi Ramës i dha dritën jeshile projektit, duke i akorduar Kushner-it statusin e “investitorit strategjik”.
Ky status përbën një lloj korsie preferenciale për marrjen e autorizimeve të nevojshme, falë një ndryshimi në ligjin për mbrojtjen e mjedisit që lejon ndërtimin e resorteve madje edhe brenda zonave të mbrojtura. Rrjedhimisht, tani 61-vjeçari Rama - ish-basketbollist i kombëtares, ish-kryebashkiak i Tiranës dhe piktor në profesion - ka përfunduar në syrin e ciklonit.
Kryeministri e ka mbrojtur vendimin e tij, i bindur se turizmi i luksit është një mundësi e jashtëzakonshme zhvillimi për një vend që krenohet me 450 kilometra vijë bregdetare, në pjesën më të madhe ende të virgjër, dhe se thithja e kapitaleve të huaja është një hap më tej drejt anëtarësimit në BE.
Ai u përpoq të sqaronte se Shqipëria nuk duhet t’i frikësohet një projekti kaq madhështor. Mirëpo mënyra se si refuzoi fillimisht dialogun, përfundoi duke i kthyer kundër shumë prej atyre që më pak se një vit më parë, i kishin rinovuar besimin për të katërtën herë radhazi.
Për të zbutur revoltën, kryeministri u shfaq më 12 qershor në televizionin kombëtar. Mirëpo, kur moderatorja e zgjeroi bisedën duke e pyetur se përse pas 13 vitesh në pushtet qeveria e tij ende nuk kishte arritur të garantonte shërbime të qëndrueshme të ujit dhe energjisë elektrike, ai humbi durimin dhe e ndërpreu lidhjen.
Më vonë, kur sheshi filloi të kërkonte me ngulm dorëheqjen e tij, ai e ashpërsoi gjuhën në një intervistë për Financial Times, duke fyer me gjuhë rruge të gjithë ata që mendojnë se ai është “kumbari” i krimit në Shqipëri.
Është e qartë se protestat për Zvërnecin dhe Sazanin janë shkrirë me diçka shumë më të thellë: me pakënaqësinë ndaj arrogancës së pushtetit, me vrullin për një përtëritje radikale që kërkohet nga brezat e rinj dhe me kushtet e jetesës në një vend ku ende në vitin 2024 (sipas institutit kombëtar të statistikave), 40 për qind e shqiptarëve rrezikonin të jetonin në varfëri, paga mujore bruto është 1084 dollarë dhe brenda 12 vitesh numri i banorëve ka rënë me 420 mijë.
Kjo është shenjë e një emigracioni që i ngjan një diaspore të vërtetë, për një popullsi që tashmë numëron më pak se dy milionë e gjysmë banorë. Agjencia shtetërore antikorrupsion (e krijuar për të përmbushur kriteret e kërkuara për anëtarësimin e shumëpritur në BE) ka nisur një hetim mbi këtë çështje, ndërsa vetë Brukseli ka reaguar përmes një deklarate zyrtare.
Siç është zbardhur nga një investigim i jashtëzakonshëm i Balkan Insight, një pjesë e mirë e tokave në oazin e Zvërnecit zotërohen nga Artur Shehu dhe ish-avokati i tij, Pëllumb Petritaj. I pari është një biznesmen që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe është i përfshirë në procese të shumta gjyqësore lidhur me pronat e përfshira në projekt.
Ndërkaq, Petritaj është dënuar në shkallë të parë për falsifikim dokumentesh që i kalonin pronësinë e disave prej këtyre tokave vetë Shehut. Ai e ka apeluar vendimin dhe i mohon akuzat. Dy parcela të tjera u përkasin përkatësisht vajzës së Petritajt dhe familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Balkan Insight raporton se në vitin 2013, Malaj dha vendimin në një padi civile duke i njohur familjes Shehu 156 hektarë në atë zonë, duke përmbysur vendimin e një gjykate të shkallës më të ulët. Më pas, ai ishte pjesë e trupit gjykues që rrëzoi akuzat për falsifikim ndaj Petritajt.
Të dyja këto vendime u përmbysën nga Gjykata e Lartë, e cila e ktheu çështjen për rigjykim. Prona më e madhe e përfshirë në projekt, është ajo e një kompanie të kontrolluar nga Redi Struga, i cili në të vërtetë shërben si ndërmjetës i miliarderëve nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat.
Zemërimi popullor dhe një lloj hovi ndëshkimor e kanë bërë të lehtë që kjo ngjarje të lidhet edhe me marrëdhëniet e Ramës me Izraelin, përmes miqësisë së tij me Ron Yefet - një sipërmarrës mjaft aktiv në industrinë e mbrojtjes në Tiranë - duke pasur parasysh edhe origjinën e Kushner-it (dhe lidhjet e tij të preferuara me Benjamin Netanyahu-n) si dhe ato të Nat Rothschild, pronarit të jahtit luksoz nga i cili Ivanka thuhet se zbuloi ishullin e magjishëm.
Edhe Yefet jeton në ishullin e pasanikëve në jug të Majamit dhe është i biri i ish-shefit të sigurisë së kompanisë ajrore El Al, në varrimin e të cilit në vitin 2022 mori pjesë edhe Rama.
Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta e njohur izraelite Haaretz, ndërsa kryeministri shqiptar ka deklaruar se manifestimet e këtyre ditëve janë të ngjizura me antisemitizëm, duke i cilësuar këto prapaskena si tërësisht të rreme.
E gjitha kjo shërben për të treguar lëmshin e situatave, pretendimeve dhe teorive konspirative që ushqejnë një protestë, e cila, në sytë e vëzhguesve më të besueshëm, mbetet gjithsesi jopartiake, pa liderë të fortë dhe larg opozitës së vjetër - asaj të liderit kontrovers Sali Berisha.
Kjo është një lëvizje paqësore, shpotitëse dhe plot gjallëri, e vështirë për t'u menaxhuar qoftë edhe nga një “ujk” i vjetër i politikës siç është kryeministri socialist. Slloganet e saj janë të thjeshta e tallëse, si “Shqipëria nuk është në shitje” apo “Kur ngrihen studentët, dridhet shteti”, të cilat lindin në rrjet dhe prej andej rikthehen te 200 mijë protestuesit që mbushën marshimin e fundit në Tiranë.
Një “mani memesh”, e ka quajtur Rama me përbuzje, si ajo e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, ku ai vetë shfaqet si një flamingo rozë që sheh rreth e rrotull i tmerruar./Pamfleti nga “Linkiesta”
Bukur e paska shkruar, PLANET E ELITES AMERIQENE PER NDERTIMIN E RESORTEVE LUKSOZE... Si tere miqte na dolen horra e qener, s'na doli nje i hajrit, si?