Ish-Presidenti Ilir Meta reagoi pas publikimit të raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, lidhur me mbajtjen në seancat gjyqësore në GJKKO brenda kafazit prej xhami. Meta e përdori raportin për të artikuluar akuza direkte ndaj kryeministrit Edi Rama dhe për të ironizuar mënyrën si zhvillohet procesi ndaj tij.
Në deklaratat e tij, Meta i referohet raportit si provë për “shkelje flagrante” dhe e krahason trajtimin me standarde të përdorura ndaj personave të akuzuar për terrorizëm.
Ai përdor shprehjen “kafazi me 5 yje” për të ironizuar narrativën zyrtare mbi kushtet e paraburgimit, duke e kthyer atë në akuzë për fasadë institucionale.
Në seancën e fundit në GJKKO, ku Meta u shfaq në prani të kamerave brenda kafazit të xhamtë, pati debate të forta mes trupës gjykuese dhe mbrojtjes. Avokati i Metës kundërshtoi mbajtjen e tij në atë formë, duke e cilësuar si trajtim të pabarabartë dhe cenim të prezumimit të pafajësisë. Trupa gjykuese nuk ndryshoi qëndrim, duke e vijuar seancën në të njëjtat kushte.
Reagimi i Ilir Metës
Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për raportin profesional dhe të paanshëm, që konstaton shkeljet flagrante të të drejtave të mia themelore njerëzore dhe politike në paraburgim, i shndërruar nga Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj meje.
Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.
Paraburgimi vlen vetëm në funksion të hetimit në raste ekstreme, kur është i domosdoshëm dhe për një kohë të kufizuar, por kurrë nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie duke dhunuar procesin e rregullt ligjor dhe gjyqesor, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në proces.
Respektimi i Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor, i prezumimit të pafajësisë, i barazisë para ligjit dhe të palëve në proces, si dhe garantimi i transparencës para publikut nuk janë privilegje, por detyrime ligjore dhe standarde minimale të një shteti të së drejtës dhe demokratik.
Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve përgjithësuese të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria.
Në thelb, përplasja nuk qëndron vetëm te kafazi i xhamtë, por te standardi që vendoset në një proces ku simbolika vizuale përdoret si mjet presioni publik. Raporti i Helsinkit dhe reagimi i Metës e çojnë debatin nga një çështje procedurale në një akuzë politike të drejtpërdrejtë.
Ky edhe ta rrjepesh te gjalle pak e ka. Me ato qe i ka bere popullit ky duhet te ngordhe jo te vdese.