TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Maj 2026, 13:31

Rama shpërthen ndaj opozitës nga Lezha: Nuk kanë lënë gjë pa thënë për familjen dhe fëmijët e mi

Shkruar nga Pamfleti
Rama shpërthen ndaj opozitës nga Lezha: Nuk kanë lënë
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të shtunë në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Lezhë, ku vlerësoi rolin e forcës politike që drejton në transformimin e vendit dhe forcimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në fjalën e tij para socialistëve, Rama pranoi se qeverisja e PS-së ka pasur mangësi dhe gabime, por theksoi se bilanci i përgjithshëm mbetet pozitiv.

“Ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime. Kur vjen puna te pamja e madhe, është një pamje që flet vetë për ne. Flet vetë raporti me interesin kombëtar, me historinë dhe botën. Është PS në qeveri sot që ia ka ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është. E ka bërë Shqipërinë nga delja e zezë një dekadë më parë në një vend që është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre historike”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te raporti me opozitën, duke theksuar se socialistët nuk kanë ndjekur rrugën e përplasjes dhe hakmarrjes politike, pavarësisht sulmeve që sipas tij janë bërë ndaj tij dhe familjes së tij.

“Socialistët që nuk iu bashkuan dhunës, piramidave dhe shkatërrimeve dhe nuk mishëruan një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka që është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje. Pikërisht pse ne jemi të tillë, jo vetëm nuk ua kemi kthyer kusurin të tjerëve me të njëjtat mjete, nuk kemi kërkuar rrugët e hakmarrjes, por kemi pranuar baltën që na ka sjellë çdo ditë fortuna që është ngritur kundër nesh. Baltë ndaj familjes sonë, ndaj fëmijëve tanë.

Keni parë ndonjëherë që t’u kthehemi atyre duke përdorur librin e tyre të shtëpisë? Asnjëherë. Nuk kanë lënë gjë pa thënë për familjen time, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time, por kurrë nuk do dëgjoni që unë të flas për familjet e tij dhe të tyre dhe për të vdekurit në shtëpinë e tyre sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore. Në fund është njerëzillëku që ndan PS-në me forcat e tjera politike.”, u shpreh Rama.

Aktiviteti në Lezhë u zhvillua në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ku morën pjesë drejtues vendorë, deputetë dhe mbështetës të kësaj force politike.

 

rama shpërthen ndaj opozitës familjen dhe fëmijët e mi

Lini një Përgjigje