Berisha pranon gabimet në Kuvendin e PD-së: “Kam bërë gabime”, por fajin ia lë sërish Ramës dhe ‘narkoshtetit’
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, të mbledhur këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve për të vulosur ndryshimet statutore dhe zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, Sali Berisha ka bërë një 'mea culpa' publike, duke pranuar se gjatë karrierës së tij politike ka bërë gabime.
Megjithatë, edhe pse foli për gabimet personale, Berisha nuk specifikoi asnjë prej tyre, duke zgjedhur që pjesën më të madhe të fjalimit ta fokusojë te sulmet ndaj Edi Ramës, të cilin e akuzoi se ka ngritur një “narkoshtet” dhe se ka tentuar të asgjësojë Partinë Demokratike.
“Kam bërë gabime në jetë dhe në karrierë”, deklaroi Berisha para delegatëve, por shtoi se nuk ka gabuar kurrë në besimin ndaj demokratëve.
Në një fjalim me tone të forta politike dhe me referenca të vazhdueshme ndaj betejës për “rithemelimin” e PD-së, Berisha e paraqiti veten dhe mbështetësit e tij si “maratonomakë” që për pesë vite kanë luftuar kundër një sistemi që, sipas tij, kishte vënë në shënjestër zhdukjen e opozitës.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për tentativa të vazhdueshme për të dobësuar dhe kontrolluar opozitën. Kreu i demokratëve pretendoi se Rama kishte synuar ta kthente PD-në në një “opozitë fasadë” dhe sipas tij kryeministri kishte ndërmarrë një sulm për asgjësimin e Partisë Demokratike në bashkëpunim me atë që ai e cilësoi si mafie ndërkombëtare.
“Kishim shumë përpjekje në dekada për të forcuar pluralizmin. Erdhi një moment kur Edi Rama vendosi si moral dhe platformë atë të etërve të tij dhe ndërmori sulmin për asgjësimin e PD, shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj. Por kjo parti nuk është për treg, është për moral, ideale dhe vlera. As nuk blihet, as shitet dhe nuk mposhtet kurrë. Ndaj edhe u ngritëm, në një kohë kur duket sikur edhe tokën e qiellin e kishim kundër.”, u shpreh kreu i PD-së.
Ndërkohë teksa bërë këtë mea culpa në fjalën hapse, Berisha ka vendosur të njëjtët emra për stukturat e reja të Partisë Demokratike që do të votohen në Kuvendin e demokratëve.
Kuvendi Kombëtar i PD-së pritet të miratojë ndryshimet në statut dhe të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar, lëvizje që do t’i hapin rrugë riformatimit të strukturave drejtuese të partisë për tre vitet e ardhshme.
Punimet e Komisionit drejtohen nga Ivi Kaso, ndërkohë që ndryshimet në statut do të prezantohen nga Gazment Bardhi. Sakaq ndryshimet në riorganizimin e diasporës dhe digjitalizimin e partisë do të prezantohen nga Nikola Kedhi dhe Grigels Muçollari.
Bëri meaculpa në 2005 ky kafsha me Kop e kthim pronash pronarëve legjitim, e me keq e bëri