Thomas Kunze vlerësoi kontributin historik të Partisë Demokratike në proceset demokratizuese dhe integruese të vendit, duke riafirmuar mbështetjen e Fondacionit KAS për rrugëtimin evropian të Shqipërisë...
Drejtori për Shqipërinë i Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), Thomas Kunze, vlerësoi rolin e Partisë Demokratike në historinë moderne të vendit dhe në procesin e integrimit evropian, gjatë fjalës së mbajtur në kongresin e kësaj force politike.
Duke iu drejtuar delegatëve të kuvendit, Kunze tha se Partia Demokratike zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë moderne, duke theksuar se rrënjët e saj në lëvizjen antikomuniste kanë shërbyer si bazë për ndërtimin e demokracisë në vend.
Ai u ndal edhe te periudha e regjimit komunist, duke e cilësuar Shqipërinë e asaj kohe si një nga vendet më të izoluara dhe më të shtypura në botë. Sipas tij, për dekada me radhë qytetarët shqiptarë u përballën me kufizime të rënda të lirive themelore, përfshirë ndalimin e lirisë së besimit, mungesën e së drejtës për të udhëtuar dhe përndjekjen politike të mijëra personave.
Kunze theksoi se që prej themelimit të saj, Partia Demokratike ka mbështetur lirimin e të burgosurve politikë dhe rehabilitimin e personave të persekutuar gjatë regjimit komunist.
Në fjalën e tij, drejtori i KAS vlerësoi gjithashtu kontributin e Partisë Demokratike në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai kujtoi se gjatë qeverisjes së saj u dorëzua kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, një hap që e cilësoi historik dhe themelor në rrugën e vendit drejt BE-së.
“Partia Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin evropian të Shqipërisë. Qeveria e saj bëri të mundur paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, një moment historik për vendin”, u shpreh Kunze.
Ai nënvizoi se Fondacioni Konrad Adenauer ka mbështetur prej vitesh proceset demokratike dhe integruese në Shqipëri, duke bashkëpunuar në promovimin e demokracisë, lirisë politike, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian.
Sipas tij, fondacioni do të vijojë të mbështesë këto vlera edhe në të ardhmen përmes partneritetit me aktorët politikë dhe shoqërorë në vend.
Kunze theksoi rëndësinë e ekzistencës së një opozite të fortë në çdo demokraci, duke nënvizuar se opozita duhet jo vetëm të ushtrojë funksionin e saj kritik, por edhe të ofrojë alternativa dhe zgjidhje për qytetarët.
Fjala e plotë
Në emër të Fondacionit Konrad Adenauer, ju uroj suksese në këtë kongres të partisë. Partia juaj, Partia Demokratike, ruan një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë moderne. Rrënjët e saj në periudhën antikomuniste shërbejnë si bazë e demokracisë dhe Shqipëria ka ecur mjaft përpara.
Për shumë njerëz në Evropën Perëndimore është e vështirë të përfytyrojnë se sa e vështirë ka qenë jeta juaj nën sundimin komunist në këtë vend. Për 40 vjet nën regjimin e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një prej vendeve më të mbyllura dhe më të shtypura në botë, jo vetëm në Evropë, por kudo në botë.
Njerëzit nuk mund të udhëtonin, feja ishte e ndaluar. Më shumë se 30,000 persona gjendeshin në burgje. Dhjetëra mijëra të tjerë përndiqeshin ose dërgoheshin në kampet e punës. Familjet ndëshkoheshin për atë që kishte bërë babai apo gjyshi. Nuk kishte hapësirë për mendim ndryshe, nuk kishte hapësirë për shtetin e së drejtës. Shteti ishte gjithçka.
Që prej themelimit të saj, Partia Demokratike nën Sali Berishën ka mbështetur lirimin e të burgosurve politikë, të të përndjekurve dhe të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.
Nuk duhet harruar se Partia Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin evropian të Shqipërisë. Zoti Klan dhe zoti Bajer e përmendën këtë. Qeveria e Partisë Demokratike bëri të mundur që Shqipëria të paraqiste kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009. Kjo ishte historike dhe një gur themeli i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Evropës.
Fondacioni Konrad Adenauer ka mbështetur këtë rrugëtim për shumë vite. Ne kemi punuar së bashku në frymën e demokracisë, lirisë politike, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian. Dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar ndaj këtyre vlerave dhe partneritetit me ju edhe në të ardhmen.
Në çdo demokraci është e rëndësishme një opozitë e fortë. Dhe opozita nuk duhet vetëm të kritikojë, por gjithashtu të ofrojë zgjidhje, të ripërtërihet dhe të marrë përgjegjësi kur njerëzit vendosin besimin e tyre tek ajo.
Dhe pikërisht për këtë janë diskutimet e sotme. Ju uroj diskutime të frytshme, vendime të mençura dhe çdo sukses në këtë kuvend të partisë dhe në të ardhmen e Shqipërisë.
Faleminderit.
Lini një Përgjigje