Partia Demokratike po zhvillon këtë të shtunë, më 30 maj, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që vjen vetëm një javë pas rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të kësaj force politike.
Punimet kanë nisur me mesazhin e një avatari të krijuar nga departamenti i IA-së në PD, i konceptuar si figurë digjitale e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Më pas punimet vazhduan me miratimin e Komisionit që po drejton Kuvendin, si dhe Sekretariatin Teknik.
Komisioni do të përbëhet nga Ivi Kaso në cilësinë e kryetarit, së bashku me Floriana Garon, Bardh Spahinë, Eliona Shkrelin dhe Nada Meçorpajn.
I pranishëm në Kuvend, ishte edhe ish-kongresmeni, përfaqësues i Partisë Republikane të SHBA-së, Bob McEwen, i cili mbajti fjalën e tij përballë të pranishmëve në Pallatin e Kongreseve.
“Kjo është lufta që ne në Amerikë, kudo në botë, vazhdojmë të përballemi me këtë konkurrencë. Kemi nevojë për persona të cilët janë të angazhuar për lirinë, për krijimin e pasurisë, jo për shfrytëzimin e pushtetit të shtetit për t’jua marrë atyre që e krijojnë atë.
Prandaj pikërisht këtë ka bërë kjo parti për shumë vite. Pikërisht këtë ka bërë edhe kryetari i kësaj partie për shumë vite.Dhe prandaj, ndër plot vende që mund të vizitoja dhe plot popuj që mund të shikoja, nuk ka një popull tjetër për të cilin unë të ndihem më tepër krenar sesa pikërisht ky popull.
Ne qëndrojmë pranë jush në të gjithë këtë përpjekje dhe si një popull konservator dhe si popull që e duam lirinë, ne do t’ju mbështesim. Ashtu sikurse e tha edhe Sali Berisha, ne e rrëzuam tiraninë më përpara, do ta rrëzojmë përsëri”, tha McEwen mes të tjerash.
Lini një Përgjigje