TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Maj 2026, 12:26

Kuvendi i PD/ CDU mesazh të hapur Berishës: Largohu, zgjidhni një kryetar dhe bord të ri

Shkruar nga Pamfleti

Kuvendi i PD/ CDU mesazh të hapur Berishës: Largohu, zgjidhni një

Deputeti i Bundestagut gjerman dhe anëtari i grupit parlamentar CDU/CSU, Peter Beyer, përshëndeti punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke vlerësuar rolin e saj si forca kryesore opozitare në Shqipëri dhe duke theksuar pritshmëritë e larta të Gjermanisë dhe partnerëve europianë ndaj kësaj force politike.

Në mesazhin e tij, Beyer u shpreh se Partia Demokratike mbetet partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri, ndërsa theksoi pritshmëritë nga CDU-ja, Europa dhe komuniteti ndërkombëtar janë të konsiderueshme.

Por mesazhi që dha përfaqësuesi i CDU gjermane është një shuplakë për Sali Berishën dhe gjithë lidershipin e PD-së, teksa ai kërkoi zgjedhjen e një kryetari të ri.

"Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur", tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që nga Gjermania përcillen sinjale të tilla, edhe pse kalojnë në heshtje nga Partia Demokratike.

“Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta”, deklaroi ai.

Deputeti gjerman vendosi theksin te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si sfidën më të madhe të vendit në vitet e ardhshme.

“Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal”, tha Beyer, duke iu referuar rolit të opozitës në monitorimin e procesit të reformave dhe të rrugës drejt Bashkimit Europian.

Ai bëri thirrje për shmangien e konflikteve të brendshme politike dhe përqendrimin në objektiva strategjikë, duke përmendur si prioritete integrimin europian, luftën kundër korrupsionit dhe goditjen e krimit të organizuar.

“Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian”, u shpreh Peter Beyer.

Deputeti i CDU-së gjermane shtoi se Shqipëria ka nevojë për një alternativë të besueshme politike që të garantojë zhvillimin dhe të ardhmen europiane të vendit.

“Duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të ofroni një alternativë të vërtetë për Shqipërinë”, deklaroi deputeti i CDU-së.

Në fund të mesazhit, ai uroi sukses për punimet e Kuvendit të Partisë Demokratike dhe përcolli përshëndetjet e CDU-së gjermane për demokratët shqiptarë.

Fjala e plotë:

I nderuar zoti President, i nderuar Dr. Sali Berisha, delegatë, të ftuar, miq të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Emri im është Peter Beyer dhe jam anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, në Berlin.

Më vjen keq që nuk mund të jem sot me ju në këtë kongres të rëndësishëm të partisë suaj, por angazhimet kohore më pengojnë të jem pranë jush fizikisht. Megjithatë, me mendje dhe me zemër jam me ju.

E vlerësoj këtë mundësi që të paktën t’ju drejtohem me disa fjalë.

Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur.

Sa i përket sfidave që ju presin përpara dhe përgjegjësisë që vjen me to, dua të them sa vijon;

Vendi juaj, Shqipëria juaj e mrekullueshme dhe e dashur, përballet me një sfidë shumë të madhe; rrugën drejt Bashkimit Europian.

Pas pak javësh, do të mbahet në Mal të Zi samiti Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor. Edhe përfaqësuesit e shtetit tuaj do të jenë të pranishëm atje, por ju duhet t’i mbani nën vëzhgim.

Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta.

Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal.

Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian.

Gjithashtu, kur bëhet fjalë për Shqipërinë – ju e dini këtë shumë më mirë se unë – duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të jeni e të ofroni një alternativë të vërtetë për Shqipërinë, një udhëheqje që me të vërtetë i hap rrugën vendit tuaj drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur.

Me këtë rast, ju uroj një kongres partiak shumë të suksesshëm.

Partia Demokratike e Shqipërisë është e dashur për zemrën time dhe ju përcjell urimet dhe përshëndetjet më të mira nga CDU-ja, Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë, drejt Tiranës.

Faleminderit shumë.

deputeti i cdu-së peter beyer europa pd

2 Komente

  1. T
    Tironci

    Po kujt i flet ky te hapi rrugen? Leviz bufi nga keneta?

    1. L
      Luli

      Manipulon gazeta or mik, se i hani si kumbulla. Behet fjale per organin perfaqesues. Ose thene ndryshe krytarin e kuvendit te pd-se se kryetsri i paritise u kry.

    Lini një Përgjigje