TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2024, 16:24

Rama-Berisha nxitojnë të kalojnë rezolutën anti-SPAK para ardhjes së Kostelancik, Nikolla e fut në axhendën e Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

Rama-Berisha nxitojnë të kalojnë rezolutën anti-SPAK para

Rama në mbledhje grupi

Nesër Nikolla do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve dhe në rend dite janë diskutimet pikërisht për të miratuar këtë rezolutë...

Shtohen akoma dhe më shumë dyshimet mbi rezolutën e propozuar nga PS për ngritjen e një komisioni parlamentar që do të luftojë korrupsionin.

Javën që kaloi kryeministri e prezantoi nismën në grupin parlamentar dhe të shumtë ishin ata që ngritën pikëpyetje se kjo ishte një manovër për të kapur SPAK dhe reformën në drejtësi. PS pretendon se duhet një aleancë politike për të goditur korrupsionin dhe e kërkon këtë gjë pas 10 vitesh në pushtet.

Por Rama nuk ka humbur kohë, duke kërkuar që kjo rezolutë të kalojë sa më shpejt në Parlament. Nesër Nikolla do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve dhe në rend dite janë diskutimet pikërisht për këtë rezolutë. Rama i ka shtrirë grupit të Berishës dorën e bashkëpunimit dhe nuk ka deri më tani një “Jo” prej tyre. Nesër do të vendosen “pikat mbi i” nëse do të kemi pazar të mirëfilltë apo jo.

Por ajo që bie në sy është se politika po nxiton jashtë mase me këtë projekt. Pyetja që ngrihet normalisht është pse? Sinjalet janë se e gjitha është pjesë e pazarit të arritur pak kohë më parë Rama-Berisha. PD i dha fund kaosit në Parlament dhe kanë nisur tani marrëveshjet okulte.

Rama-Berisha nxitojnë të kalojnë rezolutën anti-SPAK para

Elementi i dytë është se politika po nxiton para se të vijë në Tiranë ambasadori i ri amerikan. Ambasada e SHBA doli me një reagim të çuditshëm që e mbështeste nismën, por BE dje ishte ndryshe. Brukseli vendosi vija të kuqe duke e bërë të qartë se reforma e vitit 2016 nuk duhet të preket.

Sinjalet janë se me ardhjen e ambasadorit të ri amerikan situata do të ndryshojë. Që kur iku Yuri Kim, ambasada e ka humbur atë forcën që ka pasur. I dërguari aktual është shumë i butë në qëndrime dhe kjo ka bërë që politika të bëjë sipas qejfit. Edhe rezoluta në fjalë lidhet pikërisht me këtë gjë, pasi duket sikur të gjithë po nxitojnë ta përmbysin reformën para se të vijë David Kostelancik.

Por si synon politika të kapë drejtësinë dhe organet kushtetuese? “Pamfleti” e paralajmëroi që pak kohë më parë ngritjen e një komisioni anti-SPAK. I pari që dha sinjalet ishte Eduard Shalsi, i cili në një intervistë pranoi se po ideohej ngritja e një komisioni që do të monitorojë organet kushtetuese që raportojnë në Kuvend. Kjo gjë konfirmohet dhe te rezoluta.

Kuvendi angazhohet: Të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA) dhe përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues, kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, thuhet në një nga pikat e rezolutës, që është dhe pika kyçe.

Me pak fjalë nuk kemi luftë antikorrupsion, por kapje të institucioneve për të mos lejuar ndëshkimin e të korruptuarve, ose për të dërguar para drejtësisë vetëm ata që do partia. Dhe në këtë skenar ogurzi, Rama dhe Berisha duket se janë sërish bashkë. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje