TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2024, 15:19

“Meta-Berisha-Rama nuk do arrestohen”, Kreshnik Spahiu tregon planin rezerve të SHBA për politikanët e korruptuar

Shkruar nga Pamfleti

“Meta-Berisha-Rama nuk do arrestohen”, Kreshnik Spahiu tregon planin

Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Spahiu tregon “kurthin” që SHBA-BE ka ngritur kundër liderëve politikë shqiptar të korruptuar për t’i nxjerrë nga skena politike në 2025, ndërkëho që zbulon edhe detaje nga paketa ligjore që do shkaktojë tërmet në establishmentin e vjetër dhe ndryshimet drastike që do të bëjë Rama në qeverinë socialiste. Sipas tij, Rama në 2025 do largojë të gjithë ministrat e përfolur për korrupsion dhe do ndërtojë një qeveri ekspertësh. Madje ai shtoi se asnjë ministër nuk do jetë deputet dhe anasjelltas. Po ashtu, analisti Spahiu zbulon gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, se pse Meta-Berisha-Rama nuk do arrestohen edhe për disa vite dhe dy arsyet pse kryeministri nuk ka interes të godasë Erion Veliajn.

-Zoti Spahiu, si e shihni rezolutën anti-korrupsion të Edi Ramës? Disa zëra thonë se është kundër SPAK…

Në këtë ekuacion politik ka dy formula teorike:

- E para, që Rama-Berisha të kenë një skemë kundër SPAK për ta penguar në arrestimet që ka projektuar.

- E dyta, që amerikanët t’i kenë kërkuar Ramës të ndërmarrë iniciativën ligjore për reformën e dytë në drejtësi.

Faktet treguan që versioni parë nuk qëndron sepse ambasada amerikane e përshëndeti rezolutën dhe kërkoi qe grupet e tjera politike ta mbështesin. Unë e lexoj më shumë një “kurth” ndërkombëtar kundër liderëve politikë shqiptar për t’i nxjerrë nga skena politike. Ky projekt synon të bëjë atë ç’ka ndodhi pjesërisht në Kosovë. Detyruan liderët politikë të votojnë një reforme që i prangosi dhe i nxori nga politika. SHBA dhe BE synojnë të mos lejojnë me ligj liderët e korruptuar të futen në Parlament në 2025. Paketa ligjore qe do votohet së shpejti do shkaktoj tërmet në establishmentin e vjetër. Por që të ndodhë kjo do duhen 84 vota që të votohet ndryshimi në ligjin për dekriminalizimin. Ekspertët e huaj do kërkojnë të zgjatet mandati Altin Dumanit dhe prokurorëve të SPAK si dhe do kërkojnë që personat nën akuzë dhe nën hetim mos kandidojnë për deputet në zgjedhje. Së shpejti pritet një bërje në Parlament.

-A ka një sherr Rama-Veliaj duke analizuar deklaratat dhe lëvizjet e tyre?

Jo nuk mendoj që ka një sherr mes Ramës dhe Veliaj, por nuk ka as dashuri mes tyre. Rama nuk ka shok në politikë. Ai është egoist dhe delirant në rrugëtimin e tij. Rama nuk njeh askënd si këshilltar, konsulent, partner apo aleat. Ai është një “bajraktar” modern i shekullit të ri. Ndërkohë Rama nuk është kundër Erion Veliajt se ndryshe nga Saimir Tahiri apo Arben Ahmetaj, ai nuk është Individ, por ekip. Veliaj është pranuar në PS me grupin e tij “Mjaft”. Ata përfaqësonin elitën e re socialiste për të zëvendësuar xhaketat e vjetra të Fatos Nanos. Sot në qeveri janë 4 ministra nga Mjaft dhe 8 deputetë. Edi Rama s’ka asnjë interes ta godasë Erion Veline për dy arsye: - nuk ka interes të fragmentizojë partinë.-Veliaj ka mbështetje ndërkombëtare. Nuk besoj në retoriken dhe kritikën e Ramës kundër Erion Veliajt. Mendoj se vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira. Tjetër gjë janë marrëdhëniet e tyre me SPAK. Edi Rama nuk ka asnjë forcë që të urdhërojë SPAK-un kundër Erjon Velisë, por as interes politik. Çdo teori tjetër me duket konspiracion.

-U shprehet në një intervistë të fundit se Rama po kërkon që te transformoje qeverinë e tij me prurje të reja, por te panjohura. Mund te na jepni me shume detaje?

Asambleja e Partisë Socialiste provoi ato që thashë. Rama në 2025 do largojë të gjithë ministrat e përfolur për korrupsion dhe do ndërtojë një qeveri ekspertësh. Asnjë ministër nuk do jetë deputet dhe anasjelltas. Do ndërtojë një qeveri me profil të ulët dhe jo politike.

-Pse SPAK po vonon goditjen ndaj Metës dhe Kryemadhit kur provat jane sheshit?

Unë e kam thënë, e them dhe do vazhdojë të them se: tre politikanë në Shqipëri edhe për disa vite do mbetem të paprekshëm dhe nuk do e kalojnë pragun e burgut. Kam dyshimet e mija se Meta-Berisha-Rama nuk do arrestohen pavarësisht shumë dosjeve apo akuzave. Shqipëria është ende e papërgatitur për të parë 3 liderët e tyre në burg. Në Shqipëri ende është më e fortë partia sesa drejtësia.

-A mund te kemi nje qeveri teknike siç pretendon grupi Sali Berishës?

Jo, jo aspak. Qeveritë teknike ndërtohen nga krizat parlamentare. Në Kuvend nuk ka bllokim mazhorancash kushtetuese apo votuese. Teoritë e Berishës janë luge bosh për të hequr urinë e 200 militanteve qe dalin poshtë rrugicës. Këtë metodë ka përdorur 34 vjet me mitingashet: “Po vinë zgjedhjet e parakohshme”. Fundja kur gjen budallenj mirë bën. Ai vazhdon i gënjen njerëzit, ata bëjnë sikur e besojnë. Histori komike kjo që më vjen të qesh.

-Si e shihni pozicionin qe po mban Lulzim Basha ndaj zhvillimeve te fundit politike?

Luzim Basha ka një moment të artë për të plotësuar boshllëkun, por ende nuk po ka rezultatet e duhura. Ai nuk po ndërton dot një koalicion anti qeveritar. Ai ende nuk po ndërton dot një projekt kundër dyshes: Rama-Berisha. Basha duhet kuptoje që kauzat e mëdha nuk arrihen me njerëz të vegjël dhe i vetëm. PD zyrtare sot e ka humbur rolin drejtues opozitar.  Basha duhet urgjent të bashkëpunojë me partitë e reja: Endri Shabanin, Arlind Qorrin, Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn. /Sot

Lini një Përgjigje