TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2024, 09:12

Intervista/Erdogan: Si mund të sheshohen mosmarrëveshjet Turqi-Greqi

Shkruar nga Manolis Kostidis
Intervista/Erdogan: Si mund të sheshohen mosmarrëveshjet Turqi-Greqi
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan /

Disa orë përpara takimit me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Ankara, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan foli për gazetën greke, mbi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe: Dallimet e vjetra, debatin mbi përcaktimin e shelfit kontinental, por edhe për vendimin e Greqisë për të krijuar një park detar në detin Egje, mbi të cilin Turqia ngriti edhe një herë çështjen e sovranitetit mbi ishujt e vegjël e të pabanuar. Presidenti turk, ka reaguar edhe mbi marrëdhëniet e vendit të tij me Shtetet e Bashkuara, pas shtyrjes së takimit të planifikuar të 9 majit me presidentin Joe Biden.

Intervista/Erdogan: Si mund të sheshohen mosmarrëveshjet Turqi-Greqi
Erdogan dhe Mitsotakis /

Zoti president, a jeni i kënaqur me nivelin e marrëdhënieve dypalëshe? Cili është qëllimi dhe si mund të arrihet ai?

Synimi është i thjeshtë:të konsolidojmë miqësinë tonë, dhe të ngremë nivelin e marrëdhënieve tona dypalëshe në një nivel të paprecedentë në histori, duke i zgjidhur problemet tona. Për këtë qëllim, ne në Turqi kemi ndërmarrë së fundmi hapa të sinqertëdhe efektivë dhe synojmë të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Ne, Turqia dhe Greqia, ndajmë jo vetëm të njëjtën pozitë gjeografike, por edhe shumë elementë të përbashkët me dimension historik. Sigurisht, ka çështje për të cilat nuk jemi dakord. Por numri i çështjeve për të cilat mund të biem dakord nuk është i vogël.

Duke folur së bashku hapur dhe me guxim për të gjitha çështjet, mund të hedhim hapa drejt zgjidhjes së tyre. Zvarritja nuk i zgjidh problemet. Është e lehtë të shkatërrosh diçka. Pjesa më e vështirë është ndërtimi dhe zgjidhja e problemeve. Prandaj, neve na takon t’i qetësojmë marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe t’i shembim muret e paragjykimeve që na ndajnë. Gjithçka që na duhet, janë hapa historikë të orientuar drejt zgjidhjes dhe të ndershëm.

Intervista/Erdogan: Si mund të sheshohen mosmarrëveshjet Turqi-Greqi
Presidenti Erdogan dhe gazetari grek Manolis Kostidis /

Si ka qenë takimi juaj me Mitsotakis në Athinë? A është komunikimi juaj në nivelin që do e dëshironit?

Besoj se kohët e fundit kemi arritur një klimë harmonie me zotin Mitsotakis, dhe kjo ka filluar të japë rezultate konkrete. Deklarata e Athinës, marrëveshjet dhe protokollet që nënshkruam, janë vetëm disa prej tyre. S’ka ndonjë pengesë për të shtuar të reja. Komunikimi ynë është i kënaqshëm në shumë nivele, dhe ka shumë gjasa të ecim përpara në një mënyrë pozitive.

Ankaraja ka reaguar ndaj hapave që donte të merrte Greqia në lidhje me krijimin e dy parqeve detare në detet Jon dhe Egje. Ndërsa Athina thotë se kjo është një çështje mjedisore, Ministria e Jashtme e Turqisë ngriti çështjen e “sovranitetit të ishullit”....

Ngritja e çështjeve të sovranitetit, nuk është diçka që dëmton bazat e dialogut dhe pengon përparimin e tij. Të gjithë e dinë se sa të ndjeshëm jemi ne si Turqi për mjedisin. Por do të ishte e gabuar ta shihnim këtë si një mjet për të fshehur situata të tjera të diskutueshme.

Çdo çështje duhet parë në kontekstin e vet. Në fakt, Ligji i Detit inkurajon bashkëpunimin midis shteteve bregdetare në dete të mbyllura ose gjysmë të mbyllura si Egjeu, ndër të tjera edhe për çështje mjedisore. Por nga ana tjetër,  Turqia s’do të pranojë situata de fakto në këtë rajon.

Greqia i konsideron të pavlefshme marrëveshjet e nënshkruara midis Turqisë dhe Libisë, ndërsa Turqia i konsideron të pavlefshme marrëveshjet midis Greqisë dhe Egjiptit për përcaktimin e pjesshëm të kufijve detarë. Po kështu, një sërë marrëveshjesh midis Qipros dhe Izraelit konsiderohen të pavlefshme nga Turqia. Në këto kushte, a mund të flitet për ndonjë bashkëpunim midis Greqisë dhe Turqisë për shfrytëzimin e hidrokarbureve?

Le të saktësojmë diçka. Marrëveshja që ne nuk e njohim, është nënshkruar midis administratës greke të Qipros Jugore dhe Izraelit. Ndërsa janë shpërfillur të drejtat dhe interesat e turqve qipriotë, të cilët përbëjnë një element thelbësor të ishullit, pra të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Nga ana tjetër, për ne energjia nuk është një zonë konflikti por bashkëpunimi. Turqia ka bërë vazhdimisht thirrje për një shpërndarje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të burimeve hidrokarbure. Si në të gjitha çështjet, ne duam të respektohen të drejtat dhe kompetencat tona sovrane, siç respektojmë edhe të drejtat dhe parimet e vendeve bregdetare.

Të gjithë duhet ta dinë se është e vështirë të ketë sukses në rajon një platformë energjetike që nuk përfshin Turqinë, veçanërisht në Mesdheun Lindor. Mbajtja e konferencës së Mesdheut Lindor, për të cilën po flasim prej vitesh, mund të krijojë bazën për një zgjidhje me një qasje të favorshme.

Për fat të keq, ankesat tona për këtë çështje kanë mbetur deri tani pa përgjigje. Nuk mund të arrish gjëkundi me tensione. Duhet të kuptohet se kapja pas provokimeve nuk i sjell dobi askujt. Ndaj duhen gjetur mënyra për të arritur në një konsensus të arsyeshëm.

Janë të njohura qëndrimet e dy vendeve për çështjen e shelfit kontinental të Egjeut. A do ta pranonit ndërmjetësimin e një institucioni si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të vjetër?

Zgjidhja këtu është e qartë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Mjafton që ta vëmë në zbatim. Për sa kohë që ne nuk e shmangim atë, nuk duhet të ketë pengesa që s’mund t'i kapërcejmë së bashku. Kur themi se kemi arritur në një zgjidhje gjithëpërfshirëse, nuk duhet t’ia lëmë trashëgim mosmarrëveshjet brezave të ardhshëm. Qasja jonë për të gjetur zgjidhje me mjete paqësore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është çelësi për eliminimin e problemeve. Nuk përjashtojmë as zgjidhjet e përfshira në Kartën e OKB-së, nëse kjo është e nevojshme.

Pse u shty papritur takimi juaj i planifikuar me presidentin Biden? A besoni se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol ndërmjetësues në marrëdhëniet turko-greke?

Vizita u shty për shkak të axhendës kontradiktore nga të dyja palët. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë në prag të zgjedhjeve, dhe axhenda e Biden është bërë edhe më e ngarkuar. Vizita të tilla planifikohen kur janë të përshtatshme për të dyja palët. Po bëhen përpjekje për të përcaktuar një datë të përshtatshme. Ne synojmë ruajtjen e një ekuilibri politik në marrëdhëniet e SHBA me Turqinë dhe Greqinë. Besojmë se do të jenë shumë të dobishme ruajtja e distancës në përputhje me rregullat e aleancës si dhe nxitja e dialogut konstruktiv.

Së fundi, le të ndalemi tek zhvillimet në Gaza. Ju keni kritikuar Izraelin për veprimet e tij në Gaza, duke e krahasuar Benjamin Netanyahun me “Hitlerin e kohës sonë” dhe e keni mbështetur Hamasin duke e cilësuar një “lëvizje çlirimtare”, ndërsa Izraeli dhe vendet perëndimore e konsiderojnë një organizatë terroriste. A mund të sqaroni qëndrimin e Turqisë mbi këtë çështje?

Duke parë atë që Izraeli i ka shkaktuar popullit të Gazës për muaj të tërë, a mund të justifikohen bombardimet e Izraelit ndaj spitaleve, vrasjet e fëmijëve, shtypja e civilëve dhe ndëshkimi i njerëzve të pafajshëm me uri, etje dhe mungesë ilaçesh me pretekste të ndryshme që cilësohet si legjitime?

Çfarë bëri dikur Hitleri? Shtypi dhe vrau njerëzit në kampet e përqendrimit. A nuk është bërë Gaza de fakto një burg i hapur, jo vetëm që nga 7 tetori, por edhe vite më parë? A nuk janë të dënuar njerëzit atje prej vitesh të jetojnë prej vitesh me burime të kufizuara, të ngjashme me kushtet në një kamp përqendrimi?

Veprimet e Netanyahut, kanë arritur një nivel që do ta bënte Hitlerin të ndjente zili për metodat e tij gjenocidiste. Dhjetëra banorëve të Gazës u janë shkelur shumë të drejta, veçanërisht ajo e jetës. Ne po mbrojmë të drejtat e tyre, ne mbrojmë paqen.

Ndërkohë, Izraeli shpërfill rezolutat e Kombeve të Bashkuara, ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut. Çfarë do të bënit ju, nëse dikush do të hynte në shtëpinë tuaj dhe do t’iu thoshte:”Ky vend tani është i imi, largohuni”? A do të thoshit “Në rregull, hajdeni jetoni ju në shtëpinë time”. Apo do ta mbronit shtëpinë tuaj?

Natyrisht, ju do të mbronit shtëpinë tuaj dhe do t’i rezistonit padrejtësisë. Dhe Izraeli e ka bërë këtë jo vetëm në Gaza, por në të gjitha territoret palestineze. Ai sekuestroi shtëpitë dhe tokat palestineze për t’ua dhënë terroristëve që i quan kolonë. I vendosi në shtëpitë palestineze.

Të përballur me këtë shtypje të vjetër e sistematike, palestinezët u organizuan dhe filluan të rezistojnë. Hamasi dhe grupet e tjera të rezistencës palestineze, të cilat Perëndimi po përpiqet t'i etiketojë si terroristë, reaguan në përgjigje të kësaj shtypjeje. Hamasi nuk është gjë tjetër veçse një grupim njerëzish që mbrojnë shtëpitë, bizneset dhe tokat e tyre të mbajtura të pushtuara nga Izraeli në Palestinë.

Çfarë kërkon Hamasi? Të çlirojë tokat palestineze dhe të rikrijojë shtetin e tyre. Nëse një shtet sovran, i pavarur i Palestinës do të njihej brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, a do të kishte ende nevojë për rezistencë? Për më tepër, Hamasi ka deklaruar se në një skenar të tillë, do të shpërndajë krahun e tij të armatosur dhe do të shndërrohet në një parti politike.

Një zgjidhje përmes krijimit të dy shteteve, ofron një rrugë të qëndrueshme drejt paqes së qëndrueshme dhe afatgjatë. Në deklaratën e tij të fundit, Hamasi ra dakord për armëpushimin. Por Izraeli nuk e dëshiron atë, duke përmendur justifikime për shkak të dëshirës së tij për të pushtuar të gjithë Gazën. Ndaj vazhdojnë vështirësitë dhe gjakderdhja./Përshtati Pamfleti nga  “Kathimerini”

intervista erdogan mosmarrëveshjet turqi -greqi

Lini një Përgjigje