TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Gusht 2025, 16:49

Rama bëhet gati për qeverinë e re / Nga Kumbaro 10 vite në karrige, te Manastirliu 8 vite: kush janë ministrat më jetëgjatë?

Shkruar nga Pamfleti

Rama bëhet gati për qeverinë e re / Nga Kumbaro 10 vite në

Kush do të largohet nga qeveria në shtator?

Partia Socialiste dhe qeveria janë futur në ankth. Kryeministri pritet që të përcaktojë datën e Asamblesë Kombëtare të PS, aty ku dhe pritet të prezantojë kabinetin e ri qeveritar.

Duke parë zhvillimet e javëve të fundit, sinjalet janë se Rama do të bëjë shumë ndryshime; ku përveç largimeve të shumta, mund të ketë ridimensionim në organizimin dhe emërtimin e ministrive. Por, ashtu siç ai e ka zakon, konsultohet vetëm me një grup shumë të ngushtë individësh dhe pjesa dërrmuese janë në pritje.

Ajo që vihet re, është se në qeveri ka disa figura që kanë një periudhë shumë të gjatë aty.

Nëse i marrim me radhë, ministrja më jetëgjatë është Mirela Kumbaro, e cila ka dalë dhe është rikthyer në qeveri. Mirela Kumbaro në vitin 2013 u emërua ministre e Kulturës, post që e mbajti për gati 6 vite. Më 2019 ajo u largua, por u rikthye më 2021 në postin e ministres së Mjedisit dhe Turizmit. Pra, Kumbaro ka afro 10 vite në qeveri.

Më pas vjen Ogerta Manastirliu. Ajo ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në periudhën 2017-2023. Ndërkohë, nga viti 2023 e deri më sot është ministre e Arsimit. Pra, Manastirliu ka plot 8 vite në qeveri.

Emri tjetër që ka një karrierë të gjatë në qeveri është ministrja e Energjisë, Belinda Balluku. Ajo e mban këtë post prej vitit 2019. Ndërkohë që prej vitit 2022 është edhe zv/kryeministre.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka mbushur një mandat të plotë. Ai e mori detyrën në vitin 2021 dhe nuk lëvizi aty gjatë ndryshimeve që u bënë më 2023. Katër vite në qeveri ka edhe Bora Muzhaqi, e cila drejton Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Në listë me 4 vite është edhe Delina Ibrahimaj. Ajo ka qenë ministre e Financave në periudhën 2021-2023. Ndërsa në vitin 2023 u emërua ministre shteti për Sipërmarrjen.

Tjetër emër është Anila Denaj. Ajo shërbeu si ministre e Financave në periudhën 2019-2021. Ndërsa prej vitit 2023 është ministre e Bujqësisë.

Këta janë emrat më jetëgjatë, pasi ministrat e tjerë janë emëruar kryesisht në vitet 2023 dhe 2024. Të shohim se kë do të lëvizë Rama; do t’i mbajë ende ‘veteranët’ apo do t’i kalojë në dikastere të tjera. /Pamfleti

Lini një Përgjigje