TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Gusht 2025, 18:38

Manja me Hoxhën ende me pushime, Koçiu, Gonxhja e Denaj ‘braktisin’ plazhin; ministrat bëhen gati për furtunën e shtatorit!

Shkruar nga Pamfleti
Manja me Hoxhën ende me pushime, Koçiu, Gonxhja e Denaj
Koçiu-Hoxha gjatë inspektimeve në plazhe

Ministrat delegojnë kompetencat, disa ende me pushime, disa kthehen në detyrë...

Ethet e qeverisë së re kanë filluar të ndihen në radhët e socialistëve. Vapa duket se iku me gushtin dhe shumë shpejt pritet që Edi Rama të na prezantojë me kabinetin e tij të ri.

Duke parë zhvillimet e javëve të fundit, sinjalet janë se Rama do të sjellë një qeveri ndryshe, teksa pjesa dërrmuese e ministrave aktualë pritet të mos ta gjejnë më veten aty. Priten ministri të reja, ndarje apo bashkime dikasteresh, teksa gojët e liga flasin se Rama mund të fusë dhe njerëz të opozitës.

Por teksa kreu i qeverisë po bën detajimet e fundit të strukturës së re të kabinetit, pjesa më e madhe e ministrave janë kthyer nga pushimet.

Në Fletoren Zyrtare janë publikuar një sërë urdhrash të firmosur nga ministrat e Drejtësisë, Brendshëm, Bujqësisë, Shëndetësisë, Ekonomisë, etj, të cilët kanë deleguar kompetencat te zv/.ministrat. Kryesisht janë periudhë dy-javore që do të thotë se ata kanë ikur me pushime.

Bie në sy se ministrja e Bujqësisë Anila Denaj kthehet nesër nga pushimet. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu i ka mbyllur sot. Ministri i Brendshëm i ka nisur me vonesë, pasi Ervin Hoxha i ka deleguar kompetencat te Julian Hodaj nga data 14 deri më datë 24 gusht 2025. Ndërsa Ulsi Manja i ka ndarë në dy faza, pasi ka nxjerrë dy urdhra për delegim kompetencash një për periudhën 1.8.2025–15.8.2025 dhe një për 18.8.2025–25.8.2025. Ndërkohë nesër i mbyll pushimet edhe ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja.

Por pavarësisht se disa janë kthyer e disa janë ende me pushime, e sigurt është se askush nuk e di fatin e tij. Rama asnjëherë nuk i ka lajmëruar më parë ata që ikin dhe me shumë mundësi do e marrin vesh nëse nuk do jenë më në qeveri apo do të kalojnë në ministri të tjera ditën kur do të prezantohet qeveria e re.

Disa nga delegimet e kompetencave

-Delegimin e përkohshëm të kompetencave të titullarit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Arian Jaupllari, nga data 4.8.2025 deri më datë 17.8.2025

- Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Brendshme, nga data 14 deri më datë 24 gusht 2025, zëvendësministrit të Brendshëm, z. Julian Hodaj.

-Delegimin  e  kompetencave  të  titullarit  të Ministrisë    së    Drejtësisë    nga    data    1.8.2025–15.8.2025, zëvendësministrit të  Drejtësisë,  z.Tedi Dobi;   Delegimin  e  kompetencave  të  titullarit  të Ministrisë   së   Drejtësisë   nga   data   18.8.2025–25.8.2025, zëvendësministrit të  Drejtësisë,  z.Klajd Karameta.

-Kompetencat e deleguara nga ministri i Ekonomisë tek Sekretari i Përgjithshëm, delegohen te z.Sokol Ismaili, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse, për periudhën 8.8.2025 deri më 18.8.2025.

-Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nga data 4.8.2025, deri më datë 15.8.2025, zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Entela Ramosaçaj.

Lini një Përgjigje