Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale shihet si lëvizje politike për të frenuar pezullimet dhe për të negociuar me mbështetësit europianë të hetimeve...
Edi Rama vendosi emrin e tij në krye të nismës për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke e kthyer draftin në akt politik personal. Lëvizja interpretohet si sinjal drejt Gjermanisë dhe faktorëve europianë që mbështesin SPAK në hetimet ndaj qeverisë. Ndryshimi ligjor konsiderohet më shumë presion politik sesa reformë proceduriale, në një moment kur hetimet po ndikojnë drejtpërdrejt në agjendën e mandatit të katërt të qeverisë.
Vendosja e emrit të vet në nismën që PS dorëzoi në Kuvend për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale nga Edi Rama nuk është një simbolikë politike.
Krejt normalisht, nisma mund të ishte hartuar dhe propozuar nga një grup juristësh të grupit socialist, të cilët nuk janë pak, apo edhe nga emra që në lidhje me drejtësinë kanë punuar që në reformën e vitit 2016, si Fatmir Xhafa, për shembull, i cili në mbledhjen e grupit, kur u lexua dhe u shpall drafti, nxinte i tëri.
Edi Rama, me vendosjen e emrit të tij në krye të nismës, i rrethuar nga Ulsi Manja dhe Taulant Balla, ka dërguar një sinjal politik tek ata që e mbështesin SPAK, më shumë sesa tek prokurorët.
Ishte një lëvizje e koduar për të negociuar në distancë pikërisht me fuqinë që sot e mbështet më shumë SPAK dhe hetimet ndaj qeverisë, përkatësisht Gjermaninë, e cila dukshëm është partizane e depërtimit të hetimeve në zemër të qeverisë së Edi Ramës.
Ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale është më shumë një flluskë sapuni sesa një zgjidhje reale ligjore për të ndaluar përdorimin e pezullimit nga ana e prokurorëve specialë.
Sipas të gjitha gjasave, edhe sikur të mos miratohet ndryshimi, artifici i pezullimit të ministrave nuk ka për t’u përdorur, sepse është një masë e sforcuar dhe pa efektivitet për planet operative të hetimeve, kudo që të zhvillohen ato.
Nga ana tjetër, kjo luftë që është kthyer në politikë të përditshme të qeverisë së Edi Ramës me drejtësinë, përveç të tjerave, i shkakton më shumë probleme kryeministrit sesa prokurorëve.
Këta të fundit, vetëm me një hetim të bujshëm si ai i AKSH-it, kanë dëmtuar ndjeshëm mandatin e katërt të Edi Ramës, duke ia kthyer axhendën në mbrojtje të përhershme ndaj lëvizjeve të kundërshtarit real, i cili ndodhet në Berlin.
Ligjërisht, ndoshta prokurorët nuk do të futen në paradhomën e kryeministrit, edhe për shkak të kufizimeve proceduriale. Por çdo hetim tjetër që zhvillohet përreth asaj godine, apo për aferat e shpërndarjes së parave buxhetore, do të heqë gjithnjë e më shumë mbulesën me të cilën Rama nisi mandatin e katërt të qeverisë së tij.
Dëmi është bërë në atë masë sa edhe në kancelaritë europiane ka nisur një ftohje e dukshme për kryeministrin, edhe pas lobimit të tij me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Ky i fundit pranoi ta takojë vetëm formalisht javën e shkuar, sipas gjasave për t’i përcjellë një mesazh nga nivelet më të larta të Bashkimit Europian.
Mesazhi përfshin kërkesën për një zgjidhje politike të krizës së korrupsionit, jo zgjidhje artificiale apo përplasje me drejtësinë.
Pikërisht pas kthimit nga Brukseli, Rama ndërmori personalisht nismën për të negociuar mbi atë mesazh që iu përcoll.
Siç dihet, negociatat shpesh nisin me qëndrime të forta dhe më pas zbuten. Rama e nisi vetë draftin, duke u përpjekur të paraqitet i vendosur në fillim. Deri tani, megjithatë, reagimi ndërkombëtar tregon se presioni për një zgjidhje politike mbetet i pandryshuar./Pamfleti
Lini një Përgjigje