Qeveria miratoi sot udhërrëfyesin për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm 2030 dhe partneritetin strategjik me agjencitë e OKB. Vendimet u bënë publike gjatë një konference për mediat nga zv.Kryeministrja Albana Koçiu, sipas të cilës, dokumenti përmban 66 kritere të matshme që do të orientojnë punën e institucioneve publike në përputhje me axhendën ’20-30 të Shqipërisë, zhvillimin dhe integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të OKB.
“Dokumenti është partneriteti strategjik mes institucioneve dhe Qeverisë shqiptare me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për vitet 2027-2031 që ka kaluar një fazë të gjerë konsultimesh publike që bazohet te zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor, transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër, së treti, mirëqeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut”, tha Koçiu.
Ajo tha se aspirata është që të fillojnë brenda vitit diskutimet për 10 kapitujt përmbyllës.
“Ne jemi duke punuar, presim me përfundimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, jemi duke pritur rekomandimet për kushtet përmbyllëse dhe aspirata është që brenda këtij viti të kemi filluar diskutimet për 10 kapituj. Duhet të ulemi në tryezë me palën europiane për të diskutuar një nga një gjithë detyrat dhe rekomandimet”, tha Koçiu.
Zv.Kryeministrja tha se nuk ka asnjë cenim të progresit të Shqipërisë, pavarësisht përpjekjes së opozitës për të njollosur procesin.
“Gjithë këto vendimmarrje nuk e kanë cenuar progresin e Shqipërisë dhe as nuk e kanë vënë në diskutim raportin e saj me drejtësinë. Janë thjesht aludime të opozitës dhe atyre që e përbaltin përditë. Jemi duke diskutuar dhe negociuar për t’i mbyllur grupkapitujt brenda kësaj dekade. Duhet ta pranojnë që i bëjmë detyrat me përkushtim, seriozitet dhe BE na njeh progresin”, tha Koçiu.
Ajo shtoi se mbi raportin IBAR nuk duhet të bëhen interpretime përtej atyre që janë shkruar.
“Raporti IBAR duhet të lexohet mirë dhe qartë, siç është shkruar. Është mirë të mos bëjmë interpretime të gabuara të atyre që shkruhen në raportet e Komisionit Europian sepse është gjuhë teknike që në fund të ditës orienton institucionet për të kryer dhe marrë përsipër angazhimet”, tha zv/kryeministrja.
Lini një Përgjigje