Kryeministri ka zgjedhur të bëjë një montazh me pamjet e dhunës ndaj opozitës në atë që njihet si pushteti i parë i Sali Berishës dhe hapat që ka bërë Shqipëria në proceset integruese, ku Edi Rama ka marrë rolin e protagonistit në raport me Brukselin...
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video të 30 viteve më parë, ku drejtues të Partisë Socialiste, opozitës së atëhershme, u dhunuan dhe u gjakosën nga forcat e policisë dhe SHIK-ut, gjatë një proteste që kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve të 26 majit të 1996.
“Me një datë që flet për dy botë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke publikuar edhe pamjet e dhunës, por edhe atë që po ndodh sot me integrimin.
Kryeministri ka zgjedhur të bëjë një montazh me pamjet e dhunës ndaj opozitës në atë që njihet si pushteti i parë i Sali Berishës dhe hapat që ka bërë Shqipëria në proceset integruese, ku Edi Rama ka marrë rolin e protagonistit në raport me Brukselin.
Rama e lidh 26 majin me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, ndërsa tregon se si Shqipëria ka ndryshuar, nga dhuna masive te drejtësia, demokracia e rruga drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në videon e postuar theksi vihet te dinjiteti ndërkombëtar që Shqipëria ka siguruar nën qeverisjen e Edi Ramës, por edhe në reformat e realizuara dhe të vlerësuara nga Brukseli që e afrojnë vendin me BE-në.
Në 28 maj 1996, pothuajse të gjithë liderët dhe politikanët e PS-së dhe aleatëve të saj, u dhunuan barbarisht nga forcat e sigurisë, gjatë një tubimi në sheshin Skënderbej. Dhunës nuk i shpëtuan as reporterët e huaj, ndërsa për vite me rradhë skenat e dhunës, bënë xhiron e botës, duke treguar fytyrën e një pushteti që kontrollohej tërësisht nga Sali Berisha, në atë kohë President i Republikës.
Servet Pëllumbi, Ndre Legisi, Erion Braçe, Gaqo Apostoli, Blendi Gonxhe, ishin ndër politikanët që provuan dhunën shtazarake të policëve me skafandra e shkopinj gome, por edhe civilëve të SHIK-ut të atëhershëm që drejtohej nga Bashkim Gazidede dhe vepronte nën urdhrat e Sali Berishës.
Protesta e 28 majit 1996 ishte një përgjigje e opozitës së atëhershme ndaj manipulimit masiv të votave në 26 maj, ku kutitë e votimit u mbushën dhunshëm nga agjentë të SHIK dhe policisë kriminale, ndërsa kjo ishte një nga ngjarjet që shënoi edhe rrënimin e pushtetit të Sali Berishës.
Zgjedhjet e 26 majit 1996, shënojnë edhe zgjedhjet e para të manipuluara masivisht në demokracinë e brishtë shqiptare, ndërsa 28 maji i të njëjtit vit shënon edhe dhunën më të madhe masive ndaj politikanëve, skena që më pas janë përsëritur, por jo në ato përmasa.
Lini një Përgjigje