Mediat zvicerane po ironizojnë projektin e shumëreklamuar të Edi Ramës për “ministren” me Inteligjencë Artificiale, ndërsa “Diella” ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatave dhe në qendër të skandaleve për korrupsion, shkelje kushtetuese dhe përdorim të paligjshëm të imazhit. Portali zviceran “20 Minuten” i ka kushtuar një artikull të gjatë projektit futurist të qeverisë shqiptare, duke theksuar se eksperimenti i parë në botë me një ministre virtuale po përballet tani me hetime, padi dhe akuza të rënda ndaj zyrtarëve që administronin sistemin.
“Diella”, siç u pagëzua nga qeveria shqiptare inteligjenca artificiale, u prezantua në shtator të vitit 2025. Më herët, modeli ekzistonte si chatbot në portalin shtetëror E-Albania.
Gjatë prezantimit, kryeministri Edi Rama deklaroi se ministrja e AI-së do të ishte drejtpërdrejt nën varësinë e tij dhe nuk do të rrezikonte të binte pre e nepotizmit, pasi “nuk ka familje”.
Akuza 1
Vetëm pak kohë pas prezantimit të “Diellës”, Partia Demokratike e Shqipërisë ngriti padi kundër ministres virtuale. Argumenti i opozitës ishte se, sipas Kushtetutës shqiptare, qeveria mund të përbëhet vetëm nga persona realë dhe se një algoritëm nuk mund t’i japë llogari popullit.
Partia Demokratike kritikoi gjithashtu dekretin e Ramës, me të cilin u krijua “Diella”, duke pretenduar se ai cenon ndarjen e pushteteve. Sipas opozitës, pa bazë ligjore ishte krijuar një strukturë e re ministrore që i jepte kryeministrit kompetenca të reja jashtë kuadrit kushtetues.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare për këtë çështje pritet të jepet të martën.
Akuza 2
“Diella” administrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e njohur si AKSHI. Në teori, misioni i saj ishte i qartë.
“Misioni im është të lehtësoj çdo ditë punën e qeverisë”, deklaronte avatari i AI-së gjatë një fjalimi në Parlament.
Por drejtuesit e AKSHI-së mund ta kenë shfrytëzuar këtë projekt për përfitime personale. Në dhjetor, drejtoresha dhe zëvendësja e saj përfunduan në qendër të hetimeve të drejtësisë. Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka vendosur të dyja në arrest shtëpie.
Akuzat ndaj tyre janë të rënda. Madje, drejtuesit e AKSHI-së dyshohet se kanë përdorur edhe rrëmbime për të përvetësuar miliona euro.
Akuza 3
E pakënaqur me projektin është edhe aktorja Anila Bisha, e cila i dha shtetit shqiptar zërin dhe fytyrën e saj. Sipas saj, marrëveshja kishte të bënte vetëm me chatbot-in e E-Albania dhe jo me avatarin virtual që më vonë u shndërrua në “ministren” AI.
Kontrata, sipas Bishës, kishte përfunduar në fund të vitit 2025 dhe ajo nuk kishte dhënë kurrë miratimin që fytyra e saj të përdorej për “Diellën”.
Sipas avokatit të saj, marrëveshja ishte ekskluzive. “Kjo do të thotë se imazhi dhe zëri i saj nuk mund të përdoreshin për produkte të tjera”, deklaroi ai.
Qeveria shqiptare i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar pretendimet si të pabazuara. Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se do të jetë gjykata ajo që do të vendosë se kush ka të drejtë. /Pamfleti
pervec te tjerave eshte edhe pak shtatzene...