TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Maj 2026, 19:42

Nga kontrolli i kandidatëve, te zgjerimi i Këshillit Kombëtar, zbardhen ndryshimet në Statutin e PD; nuk preket “Neni Basha”

Shkruar nga Pamfleti

Nga kontrolli i kandidatëve, te zgjerimi i Këshillit Kombëtar,

Ndryshimet në statut forcojnë rolin e strukturave që kontrollohen nga kryetari, ndërsa mbetet i paprekur “neni Basha” për largimin automatik pas humbjes së zgjedhjeve

Partia Demokratike ka mbledhur këtë mbrëmje Kryesinë, ku në fokus do të jenë ndryshimet në statutin e partisë.

Mes ndryshimeve më të rëndësishme bie në sy zgjerimi i Këshillit Kombëtar, organit që konsiderohet si struktura kryesore politike nën kontrollin e Berishës.

Sipas draftit, numri i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar rritet nga 150 në 200, ndërsa shtohet edhe përfaqësimi i diasporës deri në 15% të numrit të përgjithshëm.

Këshilli Kombëtar është organi që drejton politikisht partinë mes dy Kuvendeve Kombëtare dhe ka kompetenca të gjera, duke përfshirë miratimin e listave të kandidatëve, zgjedhjen e drejtuesve kryesorë të partisë dhe vendimmarrje politike strategjike.

Pikërisht për shkak të kontrollit që Berisha ka mbi këtë strukturë, zgjerimi i saj shihet si një mënyrë për të forcuar më tej dominimin mbi vendimmarrjen në PD dhe për të garantuar shumica të sigurta në çdo votim të rëndësishëm brenda partisë.

Ndryshimet e propozuara shtojnë gjithashtu kompetencat e strukturave të emëruara nga kryetari. Krijohen organe të reja si “Kolegji i Drejtuesve të Degëve” dhe “Këshilli Koordinues Kombëtar i Diasporës”, struktura që funksionojnë pranë kryetarit të partisë dhe ndikohen drejtpërdrejt prej tij.

Po ashtu, statuti i ri i jep Kryesisë së PD kompetencë të ngrejë komisione seleksionimi për kandidatët në zgjedhje, të cilat filtrojnë kandidaturat përpara procesit të votimit politik në parti.

Një tjetër element që bie në sy është fakti se mbetet i pandryshuar neni 46 i statutit, i njohur ndryshe si “neni Basha”.

Ky nen përcakton se mandati i kryetarit përfundon automatikisht nëse partia humbet zgjedhjet parlamentare dhe se kryetarit nuk i lejohet rikandidimi.

Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet
pasardhëse për kryetar partie
”, thuhet në nenin aktual, i cili nuk preket nga ndryshimet e reja.

pd berisha zgjedhje

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje