TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Mars 2025, 19:57

Primaret në PD, kush surprizoi dhe zhgënjeu/ Deputetët dhe bashkëpunëtorët e Berishës që u ‘tradhtuan’

Shkruar nga Pamfleti

Primaret në PD, kush surprizoi dhe zhgënjeu/ Deputetët dhe

As shfaqja në krah të Berishës, as pozicioni në kabinet, as funksionet, as ashpërsia e deklaratave kundër kundërshtarëve politikë, nuk i kanë ndihmuar që të kalojnë pragun e nevojshëm

Anëtarët e PD-së votuan në 1 mars mbi një listë emrash që shprehën ambiciet për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Procesi i primareve prodhoi rezultate surprizë, ku shumë emra pothuajse të panjohur sfiduan zyrtarë demokratë, madje edhe ato të veshur me kostumin e deputetit.

Rezultatet prodhuan surpriza, pavarësisht se vota e anëtarësisë do të ketë një peshë jo më shumë se 30% në vendimmarrjen përfundimtare që i përket Sali Berishës dhe anëtarëve të Kryesisë së PD-së, që do të vendosin për listën përfundimtare. Ajo që dihet deri më tani është se përtej emrave që morën pjesë në primare nuk do të ketë të tjerë që mund të dalin në minutën e fundit si kandidatë, por në anën tjetër askush nuk do të pengojë Kryesinë dhe Berishën që dikush që nuk ka kaluar pragun sipas Qarkut, të mos përfshihet në listën zyrtare të kandidatëve për deputetë.

Po kush surprizoi në primaret e 1 marsit?

Emri, ndoshta më i panjohur për publikun e gjerë është ai i Hysen Kadiut, i cili renditet i pari në listën prej 82 emrash në Tiranë, duke sfiduar shumë nga ata që konsiderohen si figura të njohura. Kadiu hyri në primare duke dhënë dorëheqjen si Kryetar i degës së PD në Kavajë dhe ka lënë pas në listë ata që konsiderohen si ‘pesha të rënda’ politike në partinë më të madhe të opozitës. Një tjetër emër surprizë është ai i Zija Ismaili, që ka marrë 1091 vota në Qarkun e Beratit, ndërsa më herët ai ka kandiduar edhe për ish-kryebashkiak i Beratit. Ndërkohë Eduart Sharka në Qarkun e Fierit renditet i pari duke lënë pas dy deputetët Sajmir Korreshi dhe Luan Baçi. Sharka ka marrë 795 vota.

Ndërkohë që surpriza në rang vendi nga primaret e PD-së i takon deputetit Bledjon Nallbati. Ai rezulton më i votuari nga anëtarësia me 1219 vota të mbledhura në Qarkun e Korçës. Nallbati i përket grupimit të Gazment Bardhit në PD-së, por duket se në rezultatin e primareve e ka ndihmuar fakti se ka qenë kryebashkiak i Devollit dhe drejtues i degës së PD-së për disa vite, para se të merrte mandatin e ligjvënësit.

Në anën tjetër Jorida Tabaku ka suprizuar duke qenë më e votuara në listën e primareve përsa i takon gjinisë femërore. Pavarësisht qëndrimeve të saj të moderuara që nuk përkrahen aspak nga militantët e Berishës, duket se Tabaku ka arritur të thyejë shumë nga emrat në listën e Tiranës, duke qenë kështu më e votuara mes gjinisë femërore dhe e 5-ta me më shumë vota nga Grupi Parlamentar i PD-së.

E ndërsa ata që surprizuan për mirë numërohen me gishtat e duarve, duket se ata që kanë zhgënjyer me rezultatin e primareve janë të shumtë. Madje në këtë listë përfshihen bashkëpunëtorët e kreut demokrat Sali Berisha dhe deputetë. Duket se as shfaqja në krah të Berishës, as pozicioni në kabinet, as funksionet, as ashpërsia e deklaratave kundër kundërshtarëve politikë, nuk i kanë ndihmuar që të kalojnë pragun e nevojshëm. Gjithsesi një pjesë e tyre e ka ende një shpresë për të qenë në listën përfundimtare, përsa kohë vendimin do e marrë Kryesia e PD dhe Sali Berisha.

Floriana Garo që shfaqet gjithmonë në krah të Berishës kandidoi në Durrës, por zhgënjeu. Ajo mori 32 vota. Silvi Bardhi, një tjetër bashkëpunëtore e Berishës në Zyrën e Shtypit të PD-së, kandidoi në Elbasan dhe mori 42 vota. Adriana Kalaja, një prej ithtareve të Berishës dhe e njohur për deklaratat ekstreme, vecanërisht në drejtim të Ambasadës së SHBA, gjithashtu zhgënjeu kur nga votat e Tiranës arriti të marrë vetëm 153 vota. Ndër deputetët që zhgënjyen janë Orjela Nebiaj 47 vota (Tiranë), Kreshnik Çollaku 68 vota (Dibër), Sorina Koti 42 vota (Korçë). Gjithashtu deputetja Zheni Gjergji ka zhgënjyer në Elbasan ku ka marrë 168 vota dhe mund të hyjë në listën zyrtare të 11 majit ose duke u bazuar te respektimi i kuotave gjinore, ose me një vendim Kryesie. Ledina Mandija, një prej Sekretareve në PD, e cila në qeverinë teknike të 2017 mbajti funksionin e zv.Kryeministres ka zhgënjyer në Shkodër duke marrë 29 vota. Nuk dihet nëse anëtarët e PD në Shkodër nuk e njohin Mandijan, i kanë inatin se u pozicionua si zv.Kryeministre e Ramës, me propozim të PD-së, apo klanet në Shkodër i kanë dalë kundër.

Dhe po kështu nga rezultatet e primareve zhgënjyen Dorian Teliti, i cili në Tiranë ka marrë 117 vota, urbanisti Gentian Kaprata me 11 vota, Edith Harxhi, e cila në 2021 garonte për kryetare të PD-së përballë Lulzim Bashës, mori 146 vota, aktorja Adriana Tolka, e cila ka qenë protagoniste sa te protestat për Teatrin, ato para Bashkisë apo te rruga e “Shpresës” ka marrë 22 vota, apo ish-deputeti, biznesmeni Jak Ndokaj që numëron vetëm 13 vota.

Figurat më pak të votuara

Adriana Kalaja, 153 vota (Tiranë)

Floriana Garo, 32 vota (Durrës)

Orjela Nebiaj, 47 vota (Tiranë)

Silvi Bardhi 42 vota (Elbasan)

Sorina Koti, 42 vota (Korçë)

Fjoralba Dizdari, 76 vota (Tiranë)

Alesia Balliu, 85 vota (Elbasan)

Mirela Tabaku, 29 vota (Tiranë)

Ledina Mandija, 29 vota (Shkodër)

Izmira Rusi, 83 vota (Shkodër)

Edit Harxhi, 146 vota (Tiranë)

Deputetët aktualë, numri votave

Bledjon Nallbati 1219

Ina Zhupa 765

Edmond Spaho 691

Luan Baci 677

Jorida Tabaku 651

Dashnor Sula 538

Saimir Korreshi 477

Ramadan Lika 470

Isuf Çela 410

Elda Hoti 394

Dhurata Çupi 354

Lindita Metaliaj 348

Kastriot Piroli 322

Ludovik Hasani 302

Greta Bardeli 217

Lefter Gështenja 216

Ilda Dhori 215

Asllan Dogjani 179

Andia Ulliri 178

Qani Xhafa 170

Zheni Gjergji 168

Kreshnik Çollaku 68

Ori Nebiaj 47

Sorina Koti 42

Emrat më të votuar

Bledion Nallbati 1219 vota – Deputeti PD kandidoi në Korçë

Zija Ismaili 1091 vota -- ish-kandidati për kryebashkiak i Beratit  kandidoi në këtë qark

Hysen Kadiu 913 vota - dha dorëheqjen si kryetar i degës së PD për Kavajën për t’u bërë pjesë e primareve  –Kandidoi në Tiranë -

Eduart Sharka – 795 vota -  dha dorëheqjen nga kreu i PD-së Lushnje për t’u bërë pjesë e primareve - Kandidoi në Fier

Klevis Balliu 737 vota -  Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, - kandidoi në Tiranë

Shkëlzen Ibra 707 vota – Kandidoi në Kukës

Edmond Spaho 691 vota – kandidoi në Korçë

Luan Baçi – 677 vota – Kandidoi në Fier

Gjin Gjoni 674 –  kandidoi në Lezhë

Igli Cara 622 vota –  kandidoi në Durrës

Ilir Alimehmeti 603 -  kandidoi në Tiranë

Ilir Krosi 578 vota -  kandidoi në Dibër

Dashnor Sula 538 vota –  kandidoi në Elbasan

Arjan Hoxha 521 – kandidoi në Tiranë

Blendi Himci 510 vota – kandidoi në Elbasan 

/Pamfleti/

Lini një Përgjigje