
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar menjëherë pas reagimit që kryeministrit Edi Rama, bëri lidhur me arrestimin e ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bardhi deklaroi se Rama mbështeti Veliajn sepse e di që kryebashkaku i ka në dorë fatin e pushtetit.
Bardhi tha se shantazhi i Veliajt ndaj Ramës funksionoi, teksa shtoi se të dy janë hallexhinjë të drejtësisë. Sipas Bardhit, Rama mbështeti Erion Veliajn edhe më shumë sesa mbështeti vëllain e tij biologjik Olsi Rama.
“Shantazhi i Erion Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi! Nuk janë thjesht dy hallexjinj të drejtësisë, por edhe dy bashkëpunëtorë të afërt, ku fati i njërit përcakton fatin e tjetrit. Prandaj sot Edi Rama mbështeti Erion Veliajn edhe më shumë sesa mbështeti vëllain e tij biologjik Olsi Rama, sepse e di që Erion Veliaj i ka në dorë fatin e pushtetit.
Pasi Gjykata Antikorrupsion urdhëroi SPAK të hetojë edhe Erion Veliajn, Edi Rama zgjodhi edhe kësaj here të sulmojë opozitën. Asnjë fjalë për thelbin e çështjes, asnjë sqarim sesi vjedhja e të paktën 22 milion eurove nga buxheti i Bashkisë Tiranë i shpëtojë syrit të patronazhistëve të tij, që dinë gjithçka për çdo qytetarë, por nuk dinë që Shtabi Elektoral i Erjon Veliajt me nje skemë të pastër mashtrimi kanë vjedhur të paktën 22 milion euro.
Çdo Kryeministër i pashantazhueshëm do kishte mbështetur Gjykatën Antikorrupsion që kërkon të hetohet Erion Veliaj, dhe kurrsesi këtë të fundit. Por ky nuk mund të jetë Edi Rama, që në të njëjtën mënyrë si Erion Veliaj, nuk dinë as çfarë bën i vëllai, as çfarë bën zëvendësi i tij në Qeveri, as çfarë bëjnë ministrat e tij të korruptuar. Prandaj janë të dy njëlloj hallexhinjë të drejtësisë”, shprehet Bardhi.
Lini një Përgjigje