TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Prill 2024, 18:18

‘SPAK punon në front të gjerë’, ish-presidenti Topi: Opozita mos të mbajë shpresa tek krisja e Ramës me Veliajn

Shkruar nga Pamfleti

‘SPAK punon në front të gjerë’, ish-presidenti Topi:

Ish-Presidenti Bamir Topi, ka analizuar zhvillimet më të fundit politike duke folur edhe për SPAK dhe akuzat e ngritura ndaj Bashkisë së Tiranës së fundmi. Ai tha se SPAk po punon me front të gjerë duke prekur pushtetin qendror, vendor dhe opozitën dhe duke mos lënë vend për t’u paragjykuar për selektivitet.

Ish-presidenti Topi shtoi se Prokuroria e Posaçme nuk po punon qetësisht sepse është nën presion nga politika, por sipas tij ka edhe një presion pozitiv nga publiku që kërkon.

“Institucioni i SPAK është duke punuar në një front të gjerë, pra nuk lë vend për t’u paragjykuar për selektivitet. Nga pushteti qendror te ai vendor, te opozita, janë të gjithë të prekur, nga kjo pikëpamje besoj se është në misionin e vetë aty ku ka të dhëna, indicie, kallëzime, SPAK është në misionin e tij.

Gjermanët kanë një fjalë të artë,kur nuk kanë prova për të kundërtën, nuk kanë të drejtë ta kundërshtojnë. Kur çështjen e merr SPAK, nëse do ishte një politike racionale, kishte besim te SPAK, që është hallka e parë, pastaj është gjykata. Por kur në momentin e parë që ka thirrje për në SPAK hidhen në debate politike çdo njeri ka të drejtë të përgjigjet. Çdo njeri e institucion është në pozitën e tij.

SPAK nuk po punon qetësisht sepse janë në presion që vjen nga politika. Ka edhe një presion pozitiv nga publiku që kërkon, por unë them se ai është institucion i ri dhe çështjet që ka janë pafund. Ka ngarkesë të madhe dhe duke njohur disa individë unë gjykoj se janë njerëz me integritet. Besoj se Dumani është në linjën e integritetit të tij, i cili nuk shfaqet një ditë kur je kryetar i një institucioni të rëndësishëm. Këta njerëz i vlerësoj sepse me kalimin e kohës presioni ndaj tyre shtohet”, tha Topi.

Sa i përket reagimeve nga kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Edi Rama në lidhje me arrestimet e SPAK në bashkinë e kryeqytetit, ish-Presidenti u shpreh se mes tyre ka një sinergji politike.

Ai theksoi se në momentin e parë që pas thirrjeve të SPAK ka debate politike çdo njeri ka të drejtë të përgjigjet.

“Fakti që Veliaj është në mandatin e tretë, ashtu si Rama tregon që mes tyre ka sinergji politike. Në politikë nuk mund të vendosësh një përfaqësues nëse s’je i sigurt, ndaj Veliaj ka qenë i domosdoshëm për Ramën. A ka debate mes tyre, debate ka edhe brenda familjes, për më tepër në politikë. E prezumoj historinë e debateve, por kur i shikon bashkë kohët e fundit, opozita mos ta mbajë shpresën te kjo krisje. Ata kanë problemet e veta. Një mazhorancë me kaq shumë skandale, duhet të shohim një reagim, por opozita sa vjen e qulloset më tepër. Ky është një paradoks që nuk e shohim askund”, tha ai mes të tjerash në një intervistë për News 24.

bamir topi edi rama erion veliaj

Lini një Përgjigje