Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot 582-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës dhe figurën e prijësit të saj, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke theksuar rëndësinë historike të këtij momenti për kombin shqiptar.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Begaj u shpreh se Besëlidhja e Lezhës përfaqëson një pikë kthese në historinë kombëtare, ku “triumfoi bashkimi mbi përçarjen, përgjegjësia mbi ambicien personale dhe interesi i përbashkët mbi atë individual”.
“Sot, 582 vite më pas, ajo mbetet një standard sjelljeje politike dhe institucionale. Një kujtesë se forca jonë si komb nuk ka qëndruar vetëm në trimëri, por në bashkërendim, vizion dhe udhëheqje me përgjegjësi. Nën frymën e vizionit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, shqiptarët vepruan si një trup i vetëm dhe u bënë pjesë e historisë evropiane të qëndresës, dinjitetit dhe lirisë”, shkruan Presidenti.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në Katedralen e “Shën Kollit” në Lezhë. Ajo shënoi krijimin e një aleance ushtarake mes princave arbërorë, me synimin për të bashkuar forcat kundër Perandorisë Osmane, e cila në atë kohë kërcënonte territoret shqiptare.
Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë principata nga veriu në jug të vendit, përfshirë Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, si edhe përfaqësues nga Mali i Zi. Kuvendi vendosi që komandant i përgjithshëm i Lidhjes të ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.
Pas këtij bashkimi, Skënderbeu udhëhoqi për rreth 25 vjet rezistencën kundër pushtimit osman. Besëlidhja e Lezhës konsiderohet si një nga momentet themelore të historisë mesjetare shqiptare, që kontribuoi në forcimin e shtetit të Arbërit dhe në formësimin e identitetit kombëtar.
Lini një Përgjigje