Goditja që tronditi Lindjen e Mesme: Pas vrasjes së Khameneit, beteja për fronin e Teheranit ka nisur...
Teherani aktivizon mekanizmin kushtetues të tranzicionit pas eliminimit të Liderit Suprem; rajoni përballet me një moment kritik me pasoja të paparashikueshme.
Vrasja e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite shënon një nga zhvillimet më tronditëse në Lindjen e Mesme në dekadat e fundit.
Konfirmimi i lajmit nga mediat shtetërore iraniane dhe raportimet e agjencive ndërkombëtare kanë futur Republikën Islamike në një fazë të re, të paeksploruar më parë që prej vitit 1989, kur Khamenei mori drejtimin pas vdekjes së Khomeinit.
Për herë të parë në mbi tre dekada, sistemi politik iranian po funksionon pa figurën që ka qenë boshti ideologjik, ushtarak dhe institucional i tij.
Sipas mekanizmit të parashikuar nga Kushtetuta iraniane, në rast të mungesës së Liderit Suprem, kompetencat e tij transferohen përkohësisht te një këshill i përbërë nga presidenti, kreu i gjyqësorit dhe një jurist fetar i zgjedhur. Në këtë kuadër, është përfshirë edhe Alireza Arafi si anëtar jurist i këshillit udhëheqës, me rol në ushtrimin e përkohshëm të funksioneve që i përkisnin liderit suprem.
Ky nuk është një emërim si pasardhës përfundimtar, por një zgjidhje tranzitore deri në vendimin e Asamblesë së Ekspertëve, organi kushtetues që do të zgjedhë udhëheqësin e ri.
Implikimet janë të shumëfishta. Brenda vendit, Garda Revolucionare dhe establishmenti fetar do të përpiqen të ruajnë stabilitetin institucional dhe të shmangin çdo vakuum pushteti. Jashtë kufijve, dinamika rajonale pritet të tensionohet më tej. Irani ka qenë aktor kyç në Irak, Siri, Liban dhe Jemen; çdo paqartësi në majën e piramidës mund të ndikojë drejtpërdrejt në arkitekturën e aleancave dhe balancat e forcës në rajon.
Nga ana tjetër, përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së dhe Izraelit në operacion, rrezikon ta zhysë Lindjen e Mesme në një cikël të ri përshkallëzimi. Reagimi i Teheranit, qoftë i drejtpërdrejtë apo përmes aktorëve të tij aleatë, do të jetë testi i parë i lidershipit të përkohshëm.
Në planin e brendshëm, çështja thelbësore mbetet se kush do ta zëvendësojë Khamenein. Emra të ndryshëm qarkullojnë prej kohësh në qarqet politike iraniane, por procesi formal kërkon konsensus brenda elitës fetare dhe mbështetjes së strukturave të sigurisë. Deri atëherë, roli i Arafit dhe i këshillit të përkohshëm është të garantojë vijimësinë e shtetit dhe të shmangë çdo perceptim dobësie.
Irani hyn kështu në një kapitull të ri, ku tranzicioni nuk është thjesht institucional, por potencialisht transformues për vetë natyrën e regjimit. Për rajonin dhe për botën, pyetja nuk është vetëm kush do ta pasojë Khamenein, por nëse kjo goditje do ta radikalizojë më tej sistemin apo do të hapë një fazë rikalibrimi strategjik. Në këtë moment historik, çdo lëvizje e Teheranit do të lexohet si sinjal për të ardhmen e ekuilibrave globalë./Pamfleti
Lini një Përgjigje