Selia e Partisë Demokratike ishte ndalesa e fundit e marshimit të opozitës, ku kreu i PD-së, Sali Berisha, mbajti një deklaratë përpara mbështetësve, duke e cilësuar protestën si një “marsh fitoreje” dhe një mesazh të qartë për qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Berisha tha se protesta e 28 shkurtit përcolli një sinjal të fortë për shqiptarët dhe për “miqtë në Europë dhe në botë”, ndërsa shtoi se, sipas tij, fundi i qeverisjes aktuale është i afërt.
“Marshi i juaj ishte marshi i fitores, i dinjitetit, i guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërguat çdo shqiptari, ishte mesazhi më i madh që i është dërguar miqve tanë në Europë dhe botë. Ishte tmerri, i kall tmerrin narkodiktatorit Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës akuzoi drejtues të policisë për, sipas tij, “rrugaçëri” dhe për përpjekje për të devijuar protestën. Ai përmendi me emër Ilir Prodën dhe Sokol Bizhgën, duke i cilësuar si “vasalë” të kryeministrit.
Berisha pretendoi gjithashtu se “agjentë të infiltruar” kishin nxitur tensione gjatë marshimit, duke mashtruar protestuesit lidhur me vendndodhjen e kryeministrit.
“E patë vetë madhështinë e protestës tonë paqësore dhe rrugaçërinë e Ilir Prodës dhe Sokol Bizhgës, dy vasalë mercenarë të Ramës që do të kenë fatin e tij,” u shpreh ai.
Në përmbyllje, Berisha deklaroi se protesta shënoi një tjetër “rekord” pjesëmarrjeje dhe se opozita do të vijojë aksionin politik deri në largimin e kryeministrit nga pushteti.
“Korrëm një fitore tjetër, arritëm një rekord të ri në protestën tonë. Asgjë nuk na ndal pa hedhur Ramën në koshin e plehrave të historisë”, tha kreu i PD-së.
Protesta e kësaj të shtune u zhvillua në formë marshimi në disa akse të Tiranës dhe u shoqërua me episode tensioni në disa zona, ndërsa u mbyll para selisë blu me deklaratën e liderit të opozitës.
Lini një Përgjigje