Orbán do të bëjë maksimumin për të mbrojtur miqtë e tij në Ballkan; Aleksandar Vuçiç në Serbi dhe Milorad Dodik në Bosnje, si dhe VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut...
Ndërsa shumëkush në Bashkimin Evropian priste polemika gjatë fillimit të presidencës hungareze të Këshillit, java e parë i ka tejkaluar pritshmëritë. Kryeministri Viktor Orbán vizitoi në fillim Kievin dhe më pas, fare i pakoordinuar me liderët e tjerë të BE-së, Moskën, në atë që ai e përshkroi si një “mision për paqe”.
Udhëheqësit e BE-së, nxituan të sqaronin publikun se Orbán nuk kishte ndonjë mandat për të përfaqësuar Bashkimin gjatë vizitës së tij në Rusi. Ky episod na tregon se Orbán dëshiron që të ketë një 6-mujor shumë aktiv, por edhe që nuk do të hezitojë të përballet me qëndrimet e vendeve të tjera anëtare të BE-së.
Gjithsesi, kompetencat e kufizuara të presidencës së BE, lënë pak hapësirë për një ndryshim aktual të politikave. Hungaria mund të jetë në titujt kryesorë të mediave gjatë 6 muajve të ardhshëm. Por ashtu si çdo presidencë tjetër, ajo nuk mund të imponojë dot vendime mbi shtetet e tjera anëtare.
Atëherë, çfarë do të thotë kjo për politikën e zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, e cila është ndër 7 prioritetet e programit të presidencës hungareze? Rëndësia e rajonit për Hungarinë është më se e dukshme, ku disa nga qeveritë e rajonit janë më afër Budapestit se të tjerat.
Por çfarë mund të presë realisht rajoni që të ndodhë deri në fund të këtij viti? Analistët me të cilët biseduam nuk presin shumë. Srđan Cvijić , president i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikën e Sigurisë (BCSP), thotë se politika e jashtme hungareze nën Viktor Orbán ka kaluar nga të qenit shumë e vendosur pro BE-së dhe NATO-s, në një “sjellje komode me Rusinë dhe Kinën”.
“Sikurse është dokumentuar në një nga studimet më gjithëpërfshirëse për këtë çështje, “Vallja Hungareze e Politikës së Jashtme” e BCSP , Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë pjesë e strategjisë së re të zgjerimit të Orbán. Që nga fillimi i luftës së agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, për shkak të toksicitetit të saj ekstrem politik, Hapja Lindore duhej të rikalibrohej në të ashtuquajturën “Hapje Juglindore”, duke e bërë Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe madje edhe Kaukazin një element më qendror në strategjinë e politikës së jashtme të liderit hungarez”- thotë ai.
Cvijić, që është gjithashtu anëtar i Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG), vë në dukje se interesat hungareze në rajon janë të dyfishta: ekonomike, gjë që është një synim tradicional i ndjekur nga paraardhësit e Orbán, dhe përhapja e “aleancës jo liberale”, e cila është veçanërisht e lidhur me këtë qeveri.
“Që nga humbja e Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në zgjedhjet polake vitin e kaluar dhe ftohja e marrëdhënieve me qeverinë çeke për shkak të Ukrainës, Orbán mbeti vetëm me një aleancë jo të lehtë me sllovakun Robert Fico. Ndaj Hungaria po investon shumë në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, dhe më e rëndësishmja në marrëdhëniet personale me Aleksandar Vucic dhe regjimin e tij.
Edhe fitorja e qendrës së djathtë në Maqedoninë e Veriut, krijon një mundësi të re për të rigjallëruar marrëdhëniet me këtë vend thotë ai. Gjithsesi Cvijić nuk beson se Hungaria do të arrijë të zbatojë politikat e saj në Ballkanin Perëndimor gjatë presidencës së saj të BE-së. “Kjo për dy arsye. E para lidhet me momentin e caktuar në të cilin vjen kjo presidencë, dhe e dyta me strukturën e ndryshuar institucionale të BE-së. Së pari, për të paktën 6 muaj pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, BE-ja do ta ketë vëmendjen kryesore tek procesi i emërimit të Komisionit të ri Evropian, duke lënë kështu pak ose aspak hapësirë për ndonjë politikë kuptimplotë e aq më pak ndryshime legjislative”- thekson Cvijić.
Votimi për presidentin e ri të Komisionit Evropian në atij të Parlamentin Evropian, pritet të ndodhë këtë muaj dhe Ursula von der Leyen u propozua për një mandat të dytë 5-vjeçar. Po ashtu, Parlamenti Evropian duhet gjithashtu të konfirmojë Komisionin e ri Evropian, ndërsa shtetet anëtare nuk kanë emëruar ende kandidatët për komisionerë. Procesi pritet të zgjasë deri në vjeshtë.
Së dyti, thekson Cvijić, qeveritë e vendeve që mbajnë presidencën e radhës, kanë tani shumë më pak hapësirë manovrimi për të diktuar axhendën e presidencës sesa më parë. “Me Traktatin e Lisbonës në vitin 2009, dhe me krijimin e institucionit të përhershëm të presidentit të Këshillit Evropian kjo hapësirë manovrimi është kufizuar akoma më shumë.
Dhe kjo tregon se përveç marifeteve politike të PR, presidenca hungareze do të mbetet kryesisht nën hijen e proceseve më të mëdha evropiane”- thotë analisti.
Ristrukturimi institucional në 6 muajt e ardhshëm, do të shoqërohet edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm në zgjerimin e BE-së: emërimin e komisionerit të ardhshëm për këtë fushë. Ishte pikërisht Hungaria, ajo që e mori këtë post në vitin 2019. Komisioneri Olivér Várhelyi është kritikuar gjatë mandatit të tij, për atë që u pa si nënvlerësim i shqetësimeve për sundimin e ligjit në vendet kandidate.
Srđan Cvijić, nuk beson se Hungaria do ta marrë sërish këtë post. “Bisedimet në korridoret e pushtetit të Brukselit, tregojnë se nuk ka mundësi të përsëritet gabimi i rëndë i lënies së njërit prej portofoleve më të rëndësishme të KE-së në duart e Viktor Orban”- thekson Cvijić.
Ndërsa komisioneri përgjegjës për zgjerimin luan një rol të rëndësishëm, veçanërisht në pjesën teknike të procesit, vendet kandidate mund të avancojnë vetëm falë vendimeve unanime të Këshillit. Kandidatët në Ballkanin Perëndimor, janë aktualisht në faza të ndryshme të procesit.
Prioriteti tjetër i Malit të Zi, është në fillim të mbylljes së kapitujve të negociatave , ndërsa Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që presin që t’i hapin ato, me kushte të ndryshme të bashkangjitura. Vedran Džihić , studiues në Institutin Austriak për Çështjet Ndërkombëtare, beson se mundësitë e presidencës hungareze në drejtim të zgjerimit, janë shumë të kufizuara kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të mëdha.
“Asnjë vendim i madh në lidhje me rrugëtimin e ardhshëm me Ballkanit drejt BE-së, nuk është në axhendë gjatë muajve të ardhshëm. Ukraina dhe Moldavia janë vendosur të ndërmarrin hapin tjetër dhe të nisin negociatat. Megjithatë, asnjëra nga të dyja nuk do të përparojë aq shpejt sa të duhet të merren vendime të mëdha gjatë presidencës hungareze”, thotë Džihić.
Džihić, i cili është gjithashtu një anëtar i BiEPAG, thotë se presidenca hungareze, së bashku me rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe forcimin e ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën, paraqet tani një dritare mundësie ku Orbán mund të rikalibrojë aleancat e tij brenda Evropës.
“Prandaj unë besoj se presidenca hungareze e Këshillit, do të dominohet kryesisht nga përpjekjet e Orbán për ta pozicionuar veten shumë më mirë brenda bllokut 27-anëtarësh”- thotë ai. Më 30 qershor, një ditë para fillimit të Presidencës, kryeministri i Hungarisë njoftoi formimin e grupit të ri politik, “Patriotët për Evropën”, së bashku me kreun e Partisë Austriake të Lirisë Herber Kickl dhe partinë ANO të ish-kryeministrit çek Andrej Babiš.
Që nga 6 korriku, “Patriotët për Evropën” janë shumë pranë tërheqjes së një numri të mjaftueshëm aleatësh, për t’u bërë zyrtarisht një grup parlamentar në Parlamentin Evropian. “Qëllimi përfundimtar i këtij grupi, është të jetë aktiv në fushën e migracionit, ndryshimeve klimatike dhe në lidhje me politikat e Ukrainës. Pra Orbán, Kickl dhe Babiš, të cilët e përçmojnë hapur Brukselin dhe BE-në dhe besojnë se shtetet kombëtare duhet të rimarrin pushtetin e humbur, dhe ta ndryshojnë lojën e pushtetit në Bruksel”- mendon Džihić.
Ai shton se kjo do ta ndërlikonte akoma më tej zgjerimin e BE-së, pasi anëtarët e grupit kanë pikëpamje të ndryshme rreth tij. Kështu Partia e Lirisë në Austri, e cila kryeson në sondazhe përpara zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen në shtator, e kundërshton pranimin e anëtarëve të rinj.
“Në fund, mbretërimi i Orban mbi BE gjatë 6 muajve të ardhshëm, do të jetë thjesht një mjet i përdorur prej tij për të forcuar aleancat e tij brenda BE-së, pa asnjë ndikim të madh në Ballkan. Gjithsesi, unë pres që Orbán të bëjë maksimumin për të mbrojtur miqtë e tij në Ballkan, Aleksandar Vucic në Serbi dhe Milorad Dodik në Bosnje, si dhe VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut”- përfundon Vedran Džihić./Përshtati Pamfleti nga “European Western Balkans”
Lini një Përgjigje