
Se sa vota duhet të marrë një kandidat për tu bërë deputet ngelet ende një çështje e pazgjidhur nga politika. Aktualisht të sigurt e kanë vendin ata që bindin kryetarin e partisë që t’i rreshtojë në krye të listës, ndërsa sfida më e madhe është për më pak të preferuarit, të cilët do të jenë në gjysmën e dytë të renditjes.
Në vitin 2021 u aplikua për herë të parë herësi, i cili i jepte të drejtën kujtdo që merrte të paktën 10 mijë vota personale, të fitonte mandatin edhe pse ishte në fund të listës.
Por ky herës u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese si një shifër e lartë, që u kap vetëm nga 3 kandidatët: Fatmir Xhafaj dhe Orlando Rakipi nga PS dhe Luciano Boci nga PD.
Kushtetuesja kërkoi një shifër më të ulët, dhe tashmë PS ka ardhur me propozimin 7 mijë vota.
Megjithatë, kjo ngelet një shifër thuajse e pakapshme sërish nga kandidatët, sidomos në kushtet ku pjesëmarrja në votime është e ulët.
Analiza e shifrave zyrtare të vitit 2021, tregon se nëse ky herës do të ishte aplikuar atëherë, vetëm 2 deputetë nga opozita do të ishin në Parlament, të ndryshëm nga ata që janë tani.
Bëhet fjalë për Agron Kapllanajn në Fier, i cili edhe pse mori 9274 nuk e fitoi dot mandatin, dhe Eralda Bano(Tase) u bë deputete me 1295 vota.
Nëse herësi do të ishte 5 mijë vota, në Kuvend do të kishte hyrë për Qarkun Shkodër, demokrati Bardh Spahia i cili grumbulloi 7219 vota personale, dhe jo Emilja Koliqin me 1364 vota.
Lista nuk do të ndryshonte në 10 qarqet e tjera për opozitën, dhe në asnjë qark për socialistët. /Euronews Albania
Lini një Përgjigje