TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2024, 19:04

PS merr tjetër “goditje” nga Kushtetuesja, gjykata rrëzon kufizimet për Komisionet Hetimore

Shkruar nga Pamfleti

PS merr tjetër “goditje” nga Kushtetuesja, gjykata rrëzon

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht ligjin për komisionet hetimore.

Partia Socialiste ka marrë tjetër goditje nga Gjykata Kushtetuese, mbi nismat që ndërmori gjatë kaosit në Kuvend.

Teksa grupi i Berishës hidhte flakadanë dhe bllokonte foltoren, PS ndryshoi ligjin për Komisionet Hetimore dhe Rregulloren e Kuvendit. Për këtë të fundit gjykata u shpreh pak ditë më parë dhe hoqi disa nga kufizimet.

Ndërkohë lidhur me ligjin për Komisionet Hetimore, GJK ka marrë sot vendimin, duke shfuqizuar nenet kryesore të projektligjit.

Gjykata e cilëson të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 4 të pr/ligjit, që lidhet me nismën për krijimin e komisionit hetimor. Neni parashikon: “Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e komisionit kur objekti i hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese si më poshtë: a) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; b) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete; c) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.

Për sa më sipër, Gjykata, pa vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj, vëren se, edhe pse gjatë gjykimit u konstatua se kjo dispozitë ka pasur si qëllim të reflektojë jurisprudencën kushtetuese, ky reflektim është i paplotë, për sa kohë janë reflektuar vetëm tre kriteret: i) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; ii) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose subjekte konkrete; iii) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.

Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare. Gjykata theksoi se kontrolli parlamentar është i lidhur me legjitimitetin e drejtpërdrejtë demokratik të Parlamentit dhe nëpërmjet tij merr legjitimitet edhe vetë qeverisja”, thuhet në njoftim.

Me shumicë votash, gjykata vendosi konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të përmbajtjes së nenit 7 të ligjit nr. 106/2023, që parashikon vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e tij, për sa kohë ky formulim nuk përmban garanci të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar. Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. “Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese”, shprehet GJK.

Po ashtu është shfuqizuar neni 9 që lidhen, përkatësisht, me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë.

Në lidhje me pikën 1/2, Gjykata vlerësoi se formulimi nuk është i qartë në drejtim të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, si dhe nevojës për këtë ndërhyrje. Qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura.

Kurse në lidhje me pikën 2/4, Gjykata vëren se ndonëse në thelb duket se i referohet përmbajtjes së nenit 32 të Kushtetutës, lidhur me garantimin e së drejtës kushtetuese për të mos deklaruar kundër vetvetes ose familjes së vet, kjo e drejtë është e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm nga norma kushtetuese, por garantohet edhe në kuadër të parimit të procesit të rregullt ligjor, sipas përmbajtjes së nenit 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 106/2023. Në çdo rast ajo plotësohet edhe nga garancitë që ofron Kodi i Procedurës Penale, i cili është i zbatueshëm në procedurën hetimore të kontrollit parlamentar.

Me shumicë votash, GJK vendosi  interpretimin pajtues të nenit 6, pika 3, shkronjat “c” dhe “d”, të ligjit nr. 106/2023, në lidhje me marrjen e provave pa pjesëmarrjen e publikut, pasi konstatoi se kjo dispozitë jep disa rezultate në varësi të metodave të interpretimit, ndaj Gjykata përzgjodhi atë rezultat që është i pajtueshëm me normat kushtetuese.

Gjykata vlerëson të theksojë se në trajtimin e pretendimeve dhe prapësimeve mbi këtë dispozitë ballafaqohen e drejta për informim dhe transparencë e organeve të zgjedhura, në kuptim të nenit 23, pika 3, të Kushtetutës, në raport me të drejtat e tjera të njeriut (siç janë ajo e jetës private, personale, jetës, shëndetit etj.). Gjykata arriti në përfundimin se, si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim.

Përveç sa më sipër, në lidhje me “sekretin tregtar”, sipas shkronjës “c”, Gjykata vlerësoi se në zbatimin e kësaj dispozite duhet të zbatohet përkufizimi i tij sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa në lidhje me “sekretin në interes të shtetit”, sipas shkronjës “d”, Gjykata vlerësoi se ai duhet të interpretohet si çdo e dhënë e parashikuar si informacion i klasifikuar në bazë të ligjit, përfshirë edhe “sekretin hetimor”.

Nenet e rrëzuara

Neni 4

Në pikën 1 të nenit 5 fjalia e tretë riformulohet si më poshtë:

“Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e komisionit kur objekti i hetimit respekton parimet

dhe standardet kushtetuese si më poshtë:

a) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit;

b) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete;

c) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën

kërkohet ngritja e komisionit hetimor.”.

Neni 7

1. Pika 4 e nenit 13 riformulohet si më poshtë:

“4. Vendimmarrja e lidhur me provat realizohet me vendim të ndërmjetëm të shumicës së

anëtarëve që kërkon kjo lloj vendimmarrje.”

2. Pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:

“5. Kërkesa për pyetjen e dëshmitarëve ose marrjen e provave të tjera, pasi ka filluar shqyrtimi,

mund të ngrihet nga çdo anëtar komisioni dhe pranohet me vendim të ndërmjetëm të komisionit.

Hetimi fillon me marrjen e provave të kërkuara nga grupi nismëtar i komisionit dhe vazhdon me

marrjen e provave që kërkohen nga grupimi tjetër jonismëtar.”.

Neni 9

1. Pas pikës 1 të nenit 16 shtohen pika 1/1 dhe pika 1/2 me këtë përmbajtje:

“1/1. Dëshmitari nuk duhet të dëshmojë për çka flitet në publik dhe as të shprehë vlerësime

personale, me përjashtim të rasteve kur ato nuk mund të ndahen nga dëshmia për faktet.

1/2. Për pyetjen si dëshmitarë të personave që janë thirrur ose do të thirren nga organi i

prokurorisë/gjykatës për procesin penal të lidhur eventualisht me çështjen objekt hetimi, komisioni

merr leje paraprakisht nga prokuroria ose gjykata ku ndodhen aktet për objektin dhe kufijtë e

dëshmisë.”.

2. Pas pikë

s 2 të nenit 16 shtohen pika 2/1 deri në pikën 2/5 me këtë përmbajtje:

“2/1. Pyetja e dëshmitarëve si rregull bëhet individualisht dhe pa praninë e dëshmitarëve të tjerë

që do të pyeten më vonë.

2/2. Çdo dëshmitar, përpara se të pyetet, informohet për çështjen për të cilën i kërkohet të

dëshmojë, për të drejtat e tij ligjore dhe për pasojat ligjore të mosparaqitjes.

2/3. Dëshmitarët kanë të drejtë të kërkojnë ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tyre

për seancën dëgjimore. Çdo dëshmitari i jepet mundësia e një deklarate paraprake të kontekstualizuar

lidhur me objektin e pyetjes.

2/4. Dëshmitarët mund të refuzojnë të japin informacion në përgjigje të pyetjeve që u drejtohen,

nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve do t’i ekspozonte ata ose personat e lidhur me ta ndaj rrezikut të

hetimit sipas një procesi të rregullt ligjor.

2/5. Pyetja e çdo dëshmitari respekton për aq sa është e mundur rregullat e parashikuara në nenin

95 të Rregullores së Kuvendit.”.

Neni 6

“3. Mbledhjet e komisionit si rregull janë të hapura. Komisioni hetimor me vendim të ndërmjetëm

përjashton publikun nga mbledhjet e tij nëse:

a) duhet t’u referohen fakteve që kanë të bëjnë me jetën personale të dëshmitarëve ose të palëve

të treta;

b) kur rrezikohet jeta, shëndeti dhe liria e dëshmitarit ose personit të lidhur me të;

c) kur bëhen referenca për një sekret tregtar, të klasifikuar si informacion “sekret”;

d) kur publiciteti mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të

shtetit.”.

Lini një Përgjigje