
Dilemat që vërtiten në kokat e deputetëve të PS-së janë të shumta, por askush nuk jep xhevap. Xhanëm se nuk di njeri, veçse të futen në kokën e Bablokut, në të cilën kumriat po fluturojnë pa rend e kohë.
Ndërsa ekipi propagandistik i qeverisë shpërndau në mediat pranë tij emra kandidatë për të pasuar Taulant Ballën në krye të grupit parlamentar, papritur nga “lart” ka zbritur një urdhër i dytë.
Pezullohet zgjedhja e kreut të ri parlamentar deri në një urdhër të ri, për një kohë të pacaktuar.
Burime në grupin e deputetëve të mazhorancës, bëjnë të ditur se urdhri nuk ka pasur as sqarim, e as motivacion. E pikërisht ky “ferman” oral, i beftë nga kryeveziri ka shkaktuar një huti të përgjithshme, pasi, frika është e madhe se mos po ndodh ndonjë zhvillim përmbysës. Askush nuk jep përgjigje për kohën në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri i grupit parlamentar, por hamendjet janë për shtatorin.
Po ç’do të ndodhë në shtator?
Do të ketë ndryshime të tjera në qeveri?
Do të ketë koka të tjera që priten nga SPAK?
Apo siç po flasin gjithnjë e më shumë për zgjedhje të parakohshme?
Dilemat që vërtiten në kokat e deputetëve të PS-së janë të shumta, por askush nuk jep xhevap. Xhanëm se nuk di njeri, veçse të futen në kokën e Bablokut, në të cilën kumriat po fluturojnë pa rend e kohë.
Ikja e Ballës nga grupi, brenda pak ditësh krijoi një situatë kaotike, ku qendrat e gravitetit në PS nisën të vendosin influencën e tyre. Veliaj, tentoi të sponsorizojë të preferuarin e tij Pastor Toni Gogun, i cili edhe pse evangjelist është pasardhësi modern i Babë Myslymit si deputet i “Pezës heroike”, por që pak kohë më parë u bë i famshëm për mufkën e tij epike. Që Hajredin Pashën e këngës dibrane, e quajti një “kreshnik malesh”, e kur e sulmuan e tallën paq në rrjet, ju kthye atyre; ho mo se s’bëra ndonjë gjë. Injoranca olimpike e pastorit të Lalit irritoi të gjatin, i cili në këto raste nuk kursen fjalët me libër shpie ndaj budallallëqeve të tilla.
Por nuk ishte vetëm pastori në listën e spinuar nga propaganda, por edhe djali i babait që kërkon të marrë edhe ai një post të lartë si profesori. Alias Arben Servet Pëllumbi, i cili duhet thënë se riprodhon përgjithësisht babaxhanllëkun e të atit, por edhe pse është një nga pjesëtarët e sekretariatit, nuk është i njohur për ndonjë oratori apo protagonizëm politik. Gjithsesi, duhet thënë se rrezaton qytetari e edukatë, çka në politikë është një dikuri e rrallë sot.
Një nga emrat më të përfolur është edhe anëtarja e komisionit të ligjeve, deputetja Klotilda Bushka, e cila njihet shumë pak, por konsiderohet nga Edi Rama si parlamentarja e PS-së që bën më pak gabime se askush.
Rama i ka pëlqyer zonjës Bushka edhe kujdesin që ajo ka pasur për të ruajtur figurën e reputacionin në aktivitetin politik e publik në dalje televizive e debate të ndryshme.
Megjithatë, kandidatja që duket se ka kuotat më të larta për të drejtuar grupin parlamentar është Elisa Spiropali. Që realisht është njeriu që ka në dorë debatin publik në Kuvend, sidomos në replikat e polemikat me opozitën. Por zërat brenda deputetëve e shikojnë Elisën më shumë ministre në shtator sesa një pasuese e Taulant Ballës. Ka gjasa që zhurma e hutimi që ka shkaktuar ky pezullim nga Rama, të jetë edhe taktikë për të mbajtur të tijtë me gajret e ankth, si dhe të shikojë ekuilibrat në sezonin e ri, i cili pritet që të jetë mjaft i vrullshëm./Pamfleti
Lini një Përgjigje