
Shabani i përgjigjet Lapajt: Ku ta dija unë i varfri, se armiku ishim ne...
Shpërthen lufta mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit. Ashtu siç e paralajmëroi “Pamfleti”, se historia me Zeqir Kordhonin ishte një përplasje mes krerëve të “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje”, sot kjo është konfirmuar.
Sot, Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, bëri një kërkesë në KQZ duke kërkuar që ta marrë ai mandatin e deputetit, edhe pse ka pasur një pakt që emrat e listës së mbyllur duhej të dorëhiqeshin. Mirëpo, ndaj tij ka reaguar Adriatik Lapaj. Ky i fundit nuk ka kursyer as aleatin e tij në koalicion.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.
Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij, Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do të më ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!
Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta "të rinjtë", deri dhe te ky që e futa në gji...nga të gjithë.
Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj.
Por nuk ka vonuar reagimi i Endri Shbanait, i cili është përgjigjur me poezinë epike të Kiço Spirit:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”.
Që kur në skenë doli Kordhoni, u duk qartë se bëhej fjalë për një qejfmbetje mes Shabanit dhe Lapajt.
Kreu i "Nismës Thurje" priste të bëhej deputet, duke marrë shkas edhe nga paralajmërimi i Lapajt para zgjedhjeve, se nëse nuk merr më shumë se 2 deputetë, atëherë ai nuk do ta mbajë mandatin. Nëse Lapaj dorëzonte mandatin, i kalonte Shabanit.
“Shënoje, nëse Adriatik Lapaj merr një mandat në Parlament, nuk do jetë Adriatik Lapaj që do e ketë atë mandat sepse unë s’po hyj për të kapur një copë deputeti”, thoshte Lapaj.
Por kreu i "Shqipëria Bëhet" duket se ka ndryshuar mendje, pasi në disa dalje publike javët e fundit, ka dhënë sinjale se do ta pranojë mandatin. Kjo duket se solli krisje, pasi doli në skenë Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit.
Fillimisht ky i fundit kërkoi në KQZ shkresën e heqjes dorë nga mandati, duke pretenduar se nuk mbante mend të kishte firmosur. Ndërsa sot ju drejtua me një letër KQZ-së ku kërkonte që t’i kalojë atij mandati i deputetit./ Pamfleti
Lini një Përgjigje