
Besiana Kadare nuk do të jetë më ambasadore e Shqipërisë pranë UNESCO. Ka qenë Kryeministri Edi Rama që ka kërkuar lirimin nga detyra të Besiana Kadare, ndërsa Presidenti Bajram Begaj, e ka dekretuar. Ende nuk dihet sepse Kryeministri ka kërkuar largimin e Besiana Kadare nga pozicioni i Ambasadores, edhe pse duket se ka përmbushur afatin kohor prej 4 vitesh.
“Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 26, pika 2 të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,
Dekretoj:
Zonja Besiana Kadare lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Besiana Kadare ka mbajtur më herët postin si ambasadorja e Shqipërisë në OKB, ndërkohë që prej 2021, u emërua si ambasadore në UNESCO.
Ajo iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Departamenti i Organizatave Ndërkombëtare në vitin 2002 dhe më vonë u emërua Sekretare e Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Në vitin 2005, ajo u bashkua me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, ku menaxhoi një projekt të madh ndërkombëtar për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e grave dhe fëmijëve.
Në vitin 2008, Besiana Kadare u emërua në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Francë, ku mbulonte kryesisht çështjet e UNESCO-s.
Nga viti 2011 deri në vitin 2016, Kadare shërbeu si Ambasadore dhe Delegate e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë), dhe nga viti 2013 deri në vitin 2015 si Zëvendëskryetare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s.
Në vitin 2016, Ambasadorja Kadare u emërua Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Kubë, jo-rezidente. Në Kombet e Bashkuara, ajo udhëhoqi punën përgatitore dhe fushatën e lobimit që rezultoi në zgjedhjen e Shqipërisë, për herë të parë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për një mandat 2-vjeçar 2022-2023.
Gjithashtu, ajo shërbeu edhe si Zëvendëspresidente e Bordit Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS për dy vjet rresht (2018-2019). P oashtu mbajti postin e Zëvendëspresidentes së sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (2020-2021).
Në nëntor 2021, ajo u emërua Ambasador dhe delegat i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.
Lini një Përgjigje