
Grabitja e pushtetit të bashkive, ‘tagji’ për klientët e Ramës...
Në emër të “reformës”, kryeministri po centralizon ndërmarrjet strategjike si ujësjellësat, barnat dhe nafta, duke shkatërruar autonominë vendore dhe duke ndërtuar një superstrukturë që kontrollohet nga njerëz pa përgjegjësi politike, por me pushtet absolut.
Me një lëvizje të heshtur, por të menduar gjatë, kryeministri Edi Rama po rrëmben disa nga pushtetet më të rëndësishme të qeverisjes vendore, duke i fshehur pas një fasade të quajtur “reformë”. Në vend që të modernizojë dhe decentralizojë institucionet, siç kërkon natyra e një reforme të mirëfilltë, Rama po përqendron gjithçka nën kontrollin e qeverisë qendrore.
Në qendër të kësaj manovre është vendosur administrimi i ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, një sektor strategjik që përfshin miliarda euro investime ndër vite dhe mijëra punonjës në të gjithë vendin. Deri më tani, këto ndërmarrje kanë qenë në pronësi të bashkive, ose të shoqërive të përbashkëta midis dy apo më shumë njësive vendore. UKT-ja e Tiranës dhe Kamzës është shembulli më i madh: një gjigand ekonomik me asete kolosale dhe kapacitet elektoral të konsiderueshëm.
Por me “reformën” e re, Rama synon ta kthejë këtë sistem në një superkorporatë, nën modelin e OSHEE-së, duke i hequr bashkive kompetencën mbi ndërmarrjet e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Kjo lëvizje nuk është thjesht teknike, është një manovër politike me pasoja të rënda për autonominë vendore dhe baraspeshën e pushteteve.
Pasojat janë të qarta:
Bashkitë humbasin burime të rëndësishme të ardhurash.
Ndërmarrjet që janë bërë rentabël falë investimeve të huaja, veçanërisht nga qeveritë gjermane dhe zvicerane, kalojnë nën kontroll të qeverisë qendrore.
Fuqia vendimmarrëse largohet nga përfaqësuesit lokalë dhe përqendrohet te drejtorët e emëruar nga lart.
Ky nuk është një rast i izoluar. Rama ka paralajmëruar se do të ndjekë të njëjtin model për shpërndarjen e barnave dhe për shitjen me pakicë të naftës, duke krijuar kështu dy superkorporata të tjera. Nëse i shtojmë OSHEE-në, KESH-in, OST-në, Albgazin, Albkontrollin, Drejtorinë e Automjeteve, AZHBR-në, etj., krijohet një “Republikë e Drejtorëve”, njerëz më të fuqishëm se ministrat dhe më të besuar për Ramën, sepse nuk mbajnë përgjegjësi politike.
Ky konfigurim i ri i pushtetit nuk është rastësor. Përkundrazi, është një plan për të ruajtur kontrollin total mbi ekonominë dhe administrimin publik, ndërkohë që ministrat dhe kryetarët e bashkive përdoren si “mish për top” për SPAK-un. Kur një hetim nis, përgjegjësia bie mbi drejtorët, të cilët, ndonëse janë njerëzit më të afërt të Ramës, nuk kanë profil politik dhe nuk kanë rrezik për imazhin e tij.
Drejtori mund të arrestohet, por “Babloku” del i pastër, me justifikimin se “përgjegjësia është individuale”. Kjo është një strategji klasike për të zhdukur çdo zë të pavarur brenda partisë dhe për të demotivuar çdo aktor politik që synon të ndërtojë karrierë në nivel vendor.
Me këtë skemë, bashkitë shndërrohen në zyra pa autoritet, pa buxhet, pa vizion dhe pa fuqi reale. Të gjithë ata që kanë investuar politikisht për të garuar në zgjedhjet vendore, mbeten jashtë loje. Çdo ent lokal zhbëhet si subjekt qeverisës dhe shndërrohet në një zyrë protokolli që zbaton urdhrat nga lart.
Kjo është arsyeja pse opozita duhet ta kundërshtojë me forcë këtë reformë. Jo thjesht si një betejë teknike, por si një betejë politike për autonominë vendore dhe për baraspeshën demokratike. Ky është rasti për të denoncuar dhe bllokuar një skemë autoritare që e çon Shqipërinë drejt centralizimit total.
Nëse opozita arrin të ndërtojë një aksion të koordinuar, me debat publik, sensibilizim dhe presion politik do të fitojë pikë të rëndësishme politike. Sepse ky nuk është një debat për ujësjellësat. Ky është një debat për pushtetin. Dhe për demokracinë./Pamfleti
Lini një Përgjigje