TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Mars 2025, 16:38

Përgjimi i Gent Ibrahimit/ Kush ka të drejtë, Dumani apo Zaçaj?

Shkruar nga Pamfleti
Përgjimi i Gent Ibrahimit/ Kush ka të drejtë, Dumani apo
Zaçaj-Dumani

U shkel apo jo ligji me përgjimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

Lajmi i publikuar dje ekskluzivisht nga “Pamfleti” se SPAK ka vënë nën hetim dhe ka përgjuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tërmet” ditën e sotme.

SPAK ka bërë përgjim ambiental për gjyqtarin Gent Ibrahimi, por edhe për disa persona të tjerë të dyshuar për lidhje me Pëllumb Gjokën. Sot dhe dje në mbrëmje ka pasur shumë akuza se SPAK ka shkelur ligjin nga mënyra se si ka vepruar. Ndërkohë sot Kushtetuesja shprehej se ata kanë imunitet. Gjithashtu avokati i Pëllumb Gjokës dhe disa juristë kanë deklaruar se SPAK duhej të merrte leje nga gjykata.

Pra, a e ka shkelur SPAK ligjin?

Nëse shohim dokumentin e autorizimit të përgjimit të firmosur nga prokurori Klodjan Braho, ai është kryer në bazë të parashikimeve të nenit 221 dhe 222 të Kodit të Procedurës Penale. Në nenin 221/3 pikat “b”, “c” dhe “ç” thuhet:  “3. Përgjimi mund të urdhërohet kundër: b) personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari; c) personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin; ç) personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarit”.

Përgjimi i Gent Ibrahimit/ Kush ka të drejtë, Dumani apo
Autorizimi i përgjimit

Në autorizimin e përgjimit thuhej se ka dyshime se Gent Ibrahimi do të merrte përfitime nga persona të lidhur me Pëllumb Gjokën.

Sa i takon debatit nëse duhej apo jo vendim gjykate, në nenin 222/8 thuhet: “Në rastet e parashikuara nga neni 221, paragrafi 2, veprimi autorizohet nga prokurori”.

Në nenin 221, paragrafi 2 theksohet: “Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimumi, tre vjet”.

SPAK ka regjistruar procedim për korrupsion aktiv dhe korrupsion pasiv, që dënohet mbi 3 vite burgim. Pra me pak fjalë, SPAK ka zbatuar përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale.

Sa i takon pretendimeve të Kushtetueses se ata kanë imunitet, në nenin 16 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese thuhet: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi personal ose keqdashjeje”.

Pra ata nuk kanë imunitet në rastet kur veprojnë individualisht. SPAK ka përgjuar Gent Ibrahimin, pasi ka pasur dyshime se ai është korruptuar nga Pëllumb Gjoka. /Pamfleti

Lini një Përgjigje