
Enkelejd Alibeaj dhe Rezart Kthupi janë tërhequr nga rekursi që kishin depozituar në Gjykatën e Lartë për vulën e PD, duke përfaqësuar Lulzim Bashën.
Sipas kërkesës, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor për shkak të regjistrimit si parti politike dhe koalicion në zgjedhje. Gjithashtu, Kthupi shkruan se në kohën kur ka bërë rekursin ka qenë në një tjetër pozicion, si kryetar i komanduar i PD ndërsa tashmë nuk është më pjesë e PD dhe nuk mban asnjë post. Ai shton se është i angazhuar në një tjetër subjekt politik.
Kthupi thekson gjithashtu se kërkesa e tij është ligjore dhe se nuk ka asnjë qëllim për të marrë drejtimin e PD, logon apo vulën përmes gjykatës.
"Nga ajo kohë e më pas, kanë ndodhur disa ndryshime në pozicionim partiak. Unë tashmë nuk përfaqësoj dhe nuk jam pjesë e grupimit politik e quajtur Partia Demokratike. Nuk mbaj asnjë post, e asnjë tagër përfaqësimi. Për më shumë, tashmë jam i angazhuar në një tjetër subjekt politik, tërësisht të dallueshëm e të ndryshëm nga subjekti i mësipërm. Është fakt publik tashmë, por edhe po ju vë në dijeni, se kanë ndodhur edhe disa akte juridike dhe politike të rëndësishme, siç është p.sh. regjistrimi pranë KQZ i subjektit politik ku unë bëj pjesë, si subjekt garues në zgjedhjet e pritshme të 2025, madje edhe në kuadër të një koalicioni politik.
Nën dritën e këtyre fakteve juridike, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor si kusht themelor mbi të cilin ngrihet e vazhdon një proces i tillë. Përveç kësaj, sqaroj, se interesi i ligjshëm bazohej dikur edhe në pozicionimin politik të dikurshëm, i cili siç shpjegova më lart tashmë nuk ekziston më.
Duke qenë se konsideratat e pozicioneve politike janë të rëndësishme sidomos tani nën dritën zhvillimeve politike dhe elektorale, më imponon të qartësoj se mungesa e interesit të ligjshëm dhe atij politik në raport me subjektin politik PD, më pengon ligjërisht, dhe në rrafshin etiko-elektoral të përfaqësoj e të shtyj përpara një proces gjyqësor të tillë nga i cili nuk tërheq asnjë të drejtë apo detyrim. Për më shumë me subjektin politik në fjalë, nuk më lidh asnjë raport politik e aq më pak juridik, madje e konsideroj një subjekt politik me interesa politiko elektorale tërësisht të ndryshme dhe pa asnjë interferim me subjektin politik në të cilin kam aderuar tani e në vazhdim", thotë Kthupi në kërkesë.
Arsyeja që vetë Basha nuk regjistroi partinë e tij Demokratët Euroatlantikë në KQZ, ishte për të marrë vulën. E vetmja parti që hasi probleme juridike ishte ajo e Lulzim Bashës, që me kryetar Endri Hasa dorëzoi kërkesën për regjistrim si Koalicioni Euroatlantik, duke e huazuar nga një tjetër parti.
Por kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i tha përfaqësuesve se duhej një vendim i formës së prerë nga gjykata, të cilin nuk e kishin.
Tërheqja e Enkelejt Alibeaj dhe Rezart Kthupi tregon se mbyllet çështja e vulës dhe Basha nuk ka çfarë bën më.
Lini një Përgjigje